SYRI TV/ Rama- SHBA, 'luftë' për kreun e ri të SPAK. Yuri Kim: Duan të kapin drejtuesin e ri
Zgjedhja e drejtuesit të ri të SPAK ka përplasur sërish sot kryeministrin Edi Rama me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim. Ambasadorja deklaroi sot se zgjedhja e kreut të ri të SPAK nuk duhet të ndikohet nga ata që duan të pengojnë apo manipulojnë hetime. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Edi Rama, i cili në kundërpërgjigje thekson se kreu i SPAK nuk zgjidhet as nga Qeveria, por as nga ambasada.
Nga SYRI TV
Dy ditë para zgjedhjes së drejtuesit të ri të SPAK, ambasadorja e SHBA –së në Tiranë Yuri Kim ka ngritur dyshime se në këtë proces mund të ndërhyhet nga persona që duan të manipulojnë hetimet. Në një reagim në Twitter, diplomatja amerikane theksoi nevojën që institucionet e drejtësisë të jenë të pavarura dhe të verbra ndaj pushtetit.
Yuri Kim: “Procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes për të kufizuar ose manipuluar hetimet. Ky është thelbi i reformës në drejtësi: drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë të gjithë të barabartë përpara ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura.”
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të qeverisë Edi Rama për këtë çështje, i cili deklaroi se kreu i SPAK nuk zgjidhet as nga qeveria, as nga opozita dhe aq më pak nga ambasada.
Rama: “Kreun e SPAK s’e zgjedh as qeveria, as foltorjavulorjafallgjorja, as ambasada jo e jo, po një institucion i quajtur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që varet vetëm nga anëtarët e vet!
Prandaj anëtarët e KLP të mos dëgjojnë askënd përveç kandidatëve,të mos lexojnë asgjë përveç biografisë profesionale të kandidatëve, të mos influencohen nga askush përveçse nga profili e perfomanca e kandidatëve! Ata japin llogari vetëm para pasqyrës së tyre dhe askujt tjetër.”
Në garë për të drejtuar Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion janë Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili.