SYRI TV/ Marrëveshja 'piramidë' e Portit të Durrësit, 40% e vlerës së pronës paguhet pa dalë leja
Zbardhet marrëveshja piramidë për shitjen e apartamenteve në projektin “Durrës Yachts&Marina”. Marrëveshja parashikon që të interesuarit për blerje pronash në këtë projekt duhet të paguajnë 40 përqind të vlerës saj ende pa u dhënë leja e ndërtimit. Ndërsa 60 përqind të vlerës së pronës, do të duhet ta paguhet pasi të jetë dhënë leja e ndërtimit. Gjithashtu, kjo marrëveshje nuk nënkupton që qytetari do të marrë apartamentin e prenotuar, pasi projekti mund të ketë ndryshime gjatë rrugës
SYRI TV
Pak ditë pasi nisi shitja e apartamenteve, ende pa u dhënë leja e ndërtimit të projektit “Durrës Yachts Marina”, revista Monitor ka zbardhur kontratën për prenotimin e blerjeve të apartamenteve.
Marrëveshja për prenotim interesi është ngjashëm me një skemë piramidale, pasi të interesuarit për blerjen e apartamenteve në këtë projekt, do të duhet të paguajnë paraprakisht 40 përqind të vlerës së pronës, ende pa u dhënë leja e ndërtimit dhe pa nisur zbatimi i projektit në terren.
Pjesa tjetër e pagesës, pra 60 përqind e shumës, sipas marrëveshjes për shprehje interesi mes kompanisë së investitorit arab Muhamed Alabbar dhe klientëve shqiptarë, do të kryhet gjatë kohës që nis ndërtimi i projektit.
Fillimisht marrëveshja parashikon që duhet të paguhet tarifa për prenotimin e blerjes së apartamentit, që kushton 1,200 euro, ndërsa për garazhin tarifa është 500 euro.
Vetëm pasi paguhet tarifa e prenotimit dhe të kryhen pagesat për vlerën e buxhetit të akorduar për blerjen e apartamentit, pra 40 përqind e vlerës së pronës, do të nënshkruhet kontrata paraprake e shitjes mes kompanisë dhe klientit.
Nga kjo marrëveshje, duket qartë që investitori kërkon të mbledhë sa më shumë para, ende pa marrë lejen e ndërtimit për projektin “Durrës Yachts&Marina”.
Por nuk mbaron me kaq. Pas nisjes së shitjeve të apartamenteve në 8 dhjetor nga kompania “Eagle Hills Real Estate Development”, në marrëveshje zbardhet dhe një detaj që lidhet me shitjen e apartamenteve.
Mbështetur te pika 2.2 e marrëveshjes së prenotimit të interesit. “Planimetria e kateve ose planimetria e pronave referuar në këtë marrëveshje janë vetëm për qëllime indikative dhe ilustruese, pasi këto planimetri nuk janë përfundimtare dhe janë subjekt i ndryshimeve”, citohet në kontratë. Pra, thënë ndryshe, qytetari mund të mos marrë apartamentin apo pronën që ka prenotuar në marrëveshjen paraprake, por diçka tjetër.