SYRI TV/ Shpopullimi dramatik i fshatit Panahor, banorët: Të gjithë kanë ikur në emigrim

Fshati Panahor në Mallakastër, vitet e fundit ka njohur shpopullim masiv. Dikur në fshat jetonin rreth 400 familje, ndërsa sot më pak se një e katërta e tyre, ku banorë janë kryesisht të moshuarit. Bizneset ankohen se largimi i të rinjve ka bërë që në fshat të mos ketë fuqi punëtore.

Nga SYRI TV

Panahori është një fshat shumë pranë Ballshit, vetëm disa qindra metra mbi ish-rafinerinë e përpunimit të naftës në këtë qytet.

Dikur, në fshat jetonin mbi 400 familje, ndërsa sot, këto dyer janë të kyçura, ndërsa rrënimi i shtëpive dëshmon më së miri shpopullimin e këtij fshati.

Sot, në fshat, jetojnë jo më shumë se 100 familje, kryesisht vetëm të moshuar.

Dëshmitë e shpopullimit në këtë fshat, i gjen kudo: nga shkolla pa nxënës, rrugët e zbrazëta, te qepenat e dyqaneve të mbyllur e deri te shtëpitë e braktisura, që tashmë po shkojnë drejt rrënimit.

Banorët thonë se arsyet e shpopullimit janë disa, por kryesorja mbetet pamundësia ekonomike për të ndërtuar jetën këtu apo dhe mungesa e investimeve në infrastrukturë, ujësjellës etj.

Arti Sula, një biznesmen në fushën e përpunimit të vajit të ullirit, tregon se shpopullimi ka lënë biznesin pa fuqi punëtore, madje sipas tij, edhe me paga që shkojnë deri në 100 mijë lekë të reja, nuk gjen më punëtorë.

Sipas banorëve, që ende kanë mbetur në fshat, ata që janë larguar prej Panahorit, kanë ikur të gjithë në emigrim, ku fluksi më i madh i largimeve, ka qenë gjatë pesë viteve të fundit, kur nisi dhe mbyllja e uzinës së naftës.