Qeveria e Kosovës, vendime për subvencionimin e energjisë për qytetarët dhe mbështetje anti-krizë
Qeveria e Kosovës ka marrë disa vendime dje për të mbështetur qytetarët e saj në këtë krize. Kryeministri Albin Kurti njoftoi sot në Fb se cilat ishin ato vendime:
Kurti shkroi: "Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, të 112-të me radhë, nga 31 vendime, mes tjerash miratuam gjashtë nisma për marrëveshje ndërkombëtare për projekte në infrastrukturë, drejtësi e energji.
"Që çmimi i energjisë elektrike për qytetarët të jetë më i përballueshëm, ndamë mjete për subvencionimin e tarifave të energjisë elektrike.
"Ndamë mjete për masat e Pakos për Përballje me Inflacion, në mbështetje të amvisërisë që kanë kursyer energji, për punëtorët e ndërmarrjeve publike, për punëtorët e sektorit publik dhe për studentët.
"Aprovuam Planin e Veprimit për pakon e përkrahjes buxhetore për krizën e energjisë brenda fondeve IPA 2023, me vlerë prej 75 milionë euro.
Iniciuam përfshirjen e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në listën e instrumenteve ndërkombëtare në Kushtetutën e Republikës.
"Miratuam kompenzimin e dëmëve të shkaktuara në bujqësi në komunat e prekura nga fatkeqësitë natyrore.
"Për një shoqëri demokratike, institucione transparente, e gjithëpërfshirje në proceset qeveritare, miratuam Planin Kombëtar të Veprimit 2023-2025 për Partneritetin për Qeverisje të Hapur.
"Me qëllim të institucionalizimit të kujdesit shëndetësor për pacientët me sëmundje të rralla, miratuam Koncept Dokumentin për Sëmundjet e Rralla. Miratuam edhe Projektligjin për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse.
"Themeluam Këshillin Shtetëror Organizativ për shënimin e 15 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 25 vjetorit te Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
"Miratuam tre vendime për shpronësim për interes publik për realizimin e projekteve infrastrukturore në komunat e Mitrovicës dhe Podujevës.
"Ndamë mjete për subvencionim të ndërtimit të shtëpive për komunitetet jo-shumicë, ndërtimi i të cilave kishte filluar në vitin 2019."