Atentati/ Berisha: Rama nuk feston kurrë pa një agresion, synonte t'i jepte opozitës goditje asgjësuese

Kryetari demokrat, Sali Berisha, sqaroi sot se pse Edi Rama porositi sulmin ndaj tij.

"Le t’i referohemi ngjarjes. Ju dhe çdo qytetar mund të thotë se i vetmi njeri që nuk ishte i interesuar për ngjarjen, ishte Edi Rama. Por ky gjykim vlen vetëm për njerëzit që mund të kontrollojnë urrejtjen e tyre. Por jo për Edi Ramën, që kurrë nuk feston një sukses pa një agresion verbal apo tjetër ndaj kundërshtarit. Çdo sukses ai e paraqet me moton: plastë armiku.

Këtë konstatim e kam shprehur me dhjetëra raste në parlament dhe studio televizive. Ai është unik në universin e njerëzve dhe personazheve që kam lexuar ndonjëherë. Po për këtë motiv dhe asnjë tjetër, Edi Rama festoi samitin e liderëve të BE me një akt antiligjor, atë të hedhjes në erë të resortit Prestige, të Irfan Hysenbelliut, të konstatuar armik prej tij. Një akt të tillë nuk e bën kurrë një njeri që kontrollon urrejtjen e tij," tha Berisha.

"Pse Edi Rama, atë ditë të samitit, zgjodhi sulmin fizik ndaj Berishës, në kuadër të asgjësimit të opozitës së vërtetë? Edi Rama ishte i bindur se me këtë skenar apo ngjarjet që pasonin, do i jepnin opozitës një goditje asgjësuese. 

Ai mendoi se Sali Berisha nuk do ngjitej më në tribunë apo ai do udhëhiqte në zonën ku kërcënohej siguria e samitit, dhe kështu do u tregonte fytyrën e vërtetë, pjesëmarrësve në samit. Ose do të ndodhte që kamikazi i tij të vritej dhe në këtë mënyrë të damkoste opozitën si vrasëse para botës," theksoi ai.