VIDEO-SYRI TV/ Konventa e Bernës: Ndalni menjëherë punimet e aeroportit Vlorë

Konventa për Ruajtjen e Jetës së Egër dhe Habitatet Natyrore Evropiane ka kërkuar pezullimin e punimeve për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Për shkak të ndikimit që ka në mjedis ky investim, Konventa e Bernës, i kërkon autoriteteve shqiptare ndalimin e punimeve si dhe nisjen e një programi gjithëpërfshirës të monitorimit të jetës së egër. Organizatat joqeveritare kombëtare e ndërkombëtare kanë kundërshtuar prej fillimit planet për ndërtimin e aeroportit brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë.

Nga SYRI TV

Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës u kërkoi autoriteteve shqiptare pezullimin e punimeve për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. Për shkak të ndikimit në mjedis, sipas dokumenteve të miratuara në mbledhjen vjetore, Konventa për Ruajtjen e Jetës së Egër dhe Habitatet Natyrore Evropiane kërkon pezullimin e këtyre punimeve dhe ndërmarrjen e një programi gjithëpërfshirës mbi impaktin që ka në mjedis ky investim.

‘Autoritetet Shqiptare duhet të ndalojnë menjëherë këto aksione që po shkatërrojnë mjedisin. Është vështirë të imagjinohet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian kur po shkatërrohen qëllimisht zonat e rëndësishme të mbrojtura evropiane’.

Annette Spangenberg

Drejtuese e konservimit pranë EuroNatur

Në fund të muajit gusht të këtij viti, përfaqësues nga Konventa e Bernës, së bashku me përfaqësues nga Konventa për Shpendët Shtegtues si dhe Marrëveshjes për Ruajtjen e Shpendëve të Ujit të Afrikës dhe Euroazisë kryen në terren inspektime mbi Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë, duke përgatitur raportin paraprak.

Ndërkohë më 23 nëntor deri më 2 dhjetor 2022, dy organizata mjedisore shqiptare, ngritën padi në Gjykatën Administrative, kundër ndërtimit të aeroportit të Vlorës brenda Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë. Sipas tyre ky ndërtim shtrihet brenda një prej ligatinave dhe zonave më të rëndësishme të biodiversitetit në Shqipëri me më shumë se 220 lloje shpendësh.

Përfaqësues të Qendrës për Ruajtjen dhe mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri theksojnë  se, qeveria shqiptare po shkel ligjet kombëtare dhe konventat ndërkombëtare.. Aeroporti i Vlorës shtrihet në një sipërfaqe prej 297 hektarësh, me një vlerë të parashikuar të investimit në rreth 104 milion euro.