Bajram Begaj emëron Gent Ibrahimin anëtar të Gjykatës Kushtetuese

Presidenti Bajram Begaj ka emëruar anëtar të Gjykatës Kushtetues, kreun aktual të KLP, Gent Ibrahimi. 

Ibrahimi ka marrë më shumë pikë se dy kandidatet e tjera në garë, Arta Vorpsiu dhe Arta Marku. 

Gent Ibrahimi është renditur i pari me 88.38 pikë, Arta Vorpsi e dyta me 0.16 pikë më pak, duke marrë 88.22 pikë dhe e treta është renditur Arta Marku, ish-kryeprokurore e Republikës me 82.66 pikë.

Njoftimi i Presidencës
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka administruar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre, për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, e krijuar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, me mbarimin e mandatit të gjyqtarit Përparim Kalo, shpallur nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 13413 datë 13.01.2022.

Sipas praktikës dokumentare të dërguar, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, me vendimin nr. 46 datë 28.10.2022 ka vendosur miratimin e Listës Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, në vendin vakant, vakancë e plotë e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 13.01.2022, si më poshtë:

1. Z. Genti Ibrahimi                      88.38 pikë
2. Znj. Arta Vorpsi 88.22 pikë
3. Znj. Arta Marku 82.66 pikë 

Presidenti i Republikës, pasi u njoh dhe vlerësoi praktikën dokumentare të vendimmarrjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, si dhe duke vlerësuar nevojën për plotësimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, në mbështetje të neneve 93, 125 pika 1, 127 pika 3, 129, 149/d pika 1, të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, neneve 7, 7/a pika 4, 7/b, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me Dekretin nr. 13877, datë 7.12.2022, ka vendosur që:

• Z. Genti Ibrahimi të emërohet gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.