16.7 kilometra në një ndeshje, Brozovic vendos një rekord të ri në Botëror

Marcelo Brozovic, ka bërë një maratonë rekord për të çuar Kroacinë në çerekfinalet e Kupës së Botës, Katar 2022. Ballkanasit u kualifikuan mes tetë më të mirave, pasi mposhtën Japoninë pas gjuajtjeve të penalltive, por kundër aziatikëve mesfushori i Interit ka vendosur një rekord të ri në historinë e Botërorit.

Brozovic, që ishte në fushë gjatë 90 minutave të kohës së rregullt dhe kohës shtesë, ka bërë 16.7 kilometra duke mposhtur rekordin që i përkiste po atij (16.33 Km në Rusi 2018, në sfidën kundër Anglisë, që u fitua në kohën shtesë).

30-vjeçari është një lojtar i kudogjendur në fushë, që ndihmon shumë ekipin. Jo më kot sezonin e kaluar Brozovic ishte lojtari që kryesonte listën e lojtarëve që bëjnë më shumë km në fushë në Serie A: 11.737 km për ndeshje.