Goditja e Berishës, Rrumbullaku: Ngjarje e paprecedentë dhe e shëmtuar, po hetojmë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku e konsideroi ngjarje të paprecedentë dhe të shëmtuar goditjen e liderit të opozitës Sali Berisha.
Rrumbullaku tha se policia po heton ngjarjen dhe do të zbardhë motivet e saj.
Sakaq, kreu i policisë mohon që Gert Shehu të jetë agjent i policisë, person i infiltruar, apo të jetë përdorur si burim informacioni nga blutë.
"Në lidhje me incidentin e ndodhur ndaj deputetit Sali Berisha, sigurisht incident i paprecedent dhe plotësisht i dënueshëm, Policia e Shtetit sapo u njoh me ngjarjen e shëmtuar, reagoi menjëherë duke ndaluar agresorin. Edhe aktualisht po vazhdojnë hetimet, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për të përcaktuar dinamikën e zhvillimit të kësaj ngjarjeje dhe motivet e saj.
Në lidhje me deklaratat e deputetit Berisha në konferencën për shtyp, gjatë së cilës pohoi se 31-vjeçari, Gert Shehu është agjent i Policisë Kriminale, dhe se është përdorur për të kryer akt dhune ndaj tij, sqarojmë opinionin publik se:
Shtetasi Gert Shkëlqim Shehu, i vitlindjes 1991, nuk ka qenë ndonjëherë dhe nuk është agjent i Policisë Kriminale nga asnjë strukture e Policisë së Shtetit.
Gjithashtu ky shtetas nuk është përdorur asnjëherë nga shërbimet e Policisë së Shtetit si i infiltruar apo si burim informacioni.
Sqarojmë se dokumenti që vërteton gjendjen e shëndetit mendor të shtetasit Gert Shehu, është vënë në dispozicion të medias nga vetë familjarët e të riut.
Policia e Shtetit shpreh keqardhje dhe përgënjeshtron këto deklarata, të cilat nuk ndihmojnë në zbardhjen e plotë të së vërtetës.
Ndërkohë, sigurojmë deputetin Berisha, se Policia e Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë, është e angazhuar maksimalisht, në zbardhjen sa më parë dhe në mënyrë të plotë ,të të gjitha rrethanave të ngjarjes", u shpreh Rrumbullaku.