European Conservative: Rrëshqitja autoritare e Shqipërisë e Samiti BE-BP

Nga Edith Harxhi, Enri Çeno

The European Conservative

Opozita shqiptare, e udhëhequr nga Partia Demokratike konservatore, do të zhvillojë një protestë kombtare më 6 dhjetor 2022, pikërisht në ditën e samitit Bashkim Evropian-Ballkan Perëndimor në Tiranë, çka shënon samitin e parë BE-BP që mbahet në Ballkanin Perëndimor dhe në një vend që nuk është anëtar i plotë i BE. Sipas Presidentit të Këshillit të Evropës, Charles Michel, ky samit do të “riafirmojë angazhimin e përforcuar (të BE)”. Ndërsa një lëvizje e tillë në përkrahje të hyrjes në BE të vendeve të BP është shumë e mirëpritur, liderët e BE duhet të jenë të vetëdijshëm për gjendjen aktuale në vendin më pro-evropian në rajon. Ka jo vetëm një konsensus të gjerë akademik se të paktën prej një dekade Shqipëria është bërë regjim hibrid, por edhe një konsensus të gjerë politik, të shprehur në raportet e Freedom House, Komisionit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian, parlamenteve kombëtare, përfshirë Bundestagun gjerman, e kështu me radhë.

Duke marrë në konsideratë situatën në të cilën gjendet vendi, qëndrimi i PD është si më poshtë:

Shqipëria është në situatën më të keqe që nga vitet ’90. Me rënien e regjimit komunist, ne patëm botën demokratike në anën tonë – anën e lirisë, demokracisë e begatisë. Është e lehtë të dallosh e denoncosh një diktaturë totale, që të përndjek, censuron e vret me mijëra. Sot është e lehtë të flasësh kundër regjimeve të Maduros, Lukashenkos, Putinit, apo Kim Yong Unit. Është më pak e lehtë të dallosh një diktaturë të butë në një vend kandidat të BE dhe shumë më pak e lehtë të veprosh kundër saj. Institucionet e BE e kanë të vështirë të flasin për një shtet gjysmë-autoritar të udhëhequr nga kryeministri socialist i Shqipërisë, Edi Rama, ndonëse ka një konsensus të gjerë akademik për faktin që të paktën prej një dekade Shqipëria ka qenë një regjim hibrid.

Partia Demokratike ka vendosur të zhvillojë një protestë kombëtare më 6 dhjetor 2022 për të davaritur më në fund iluzionin dhe vetëkënaqësinë për Shqipërinë, kultivuar ndër vite brenda komunitetit të BE, si dhe abuzimin e tmerrshëm me paratë e taksapaguesve shqiptarë, shpenzuar sistematikisht në artikuj të sponsorizuar për “mrekullinë shqiptare” në organe të medias evropiane, dhe për lobues të njohur apo më pak të njohur britanikë, italianë e gjermanë.

Nën vështrimin e anëtarëve – të painteresuar e madje edhe pro-Rama – të komunitetit ndërkombëtar në Shqipëri, lideri i dikurshëm i opozitës u shit e u ble, duke udhëhequr Shqipërinë në rrugën e mjerimit dhe mungesës së shpresës. Zgjidhja e vetme për mungesën e shpresës për ndryshim politik ishte braktisja e vendit. Gjatë dekadës së fundit, mbi 700 mijë njerëz janë larguar nga Shqipëria. Nën vështrimin e komunitetit ndërkombëtar, një elitë e fuqishme politike e ekonomike – nën udhëheqjen e kryeministrit Edi Rama – ka kapur të gjithë pushtetin dhe e përdor vetëm për pasurimin e vetes, por edhe për t’i mbyllur gojën opozitës, medias e çdo zëri kundërshtues.

Shqipëria, me përfshirjen e qeverisë së saj, është shndërruar në një strehë droge që tërheq kartelet dhe lordët e drogës më të rrezikshëm në botë. Hakerët iranianë kërcënojnë sigurinë e një vendi anëtar të NATO-s, duke vjedhur informacion vital të qytetarëve të tij. Ndërkaq, ndikimi rus e kinez po vijnë rrotull, duke përfituar nga rrëshqitja në autoritarizëm dhe mungesa e demokracisë. Situata është e tmerrshme në çdo aspekt – ekonomik, social, politik e gjeopolitik – duke prekur jo vetëm qytetarët shqiptarë dhe rajonin, por edhe aleatët tanë evropianë dhe në NATO.

Shqipëria ka një bilanc tregtar vjetor negativ kronik prej 25% të GDP, i cili kompensohet në dy mënyra: përmes remitancave prej 600 milion dollarësh në vit nga shqiptarët që punojnë e jetojnë jashtë, në mënyrë të ligjshme e të paligjshme; dhe pesë deri në dhjetë herë më tepër nga fitimet e tregtisë së paligjshme të kanabisit dhe drogave të tjera. Më 2016, vlera totale në treg e kanabisit të sekuestruar mendohet se shkon në 3.5 miliard euro, baras me të ardhurat vjetore të buxhetit të shtetit. Paratë e drogës qëndrojnë pas bumit të ndërtimeve në vend, çka e bën strehimin të papërballueshëm për shqiptarët e mesëm. Lidhjet midis parave të drogës, policisë dhe politikanëve më të lartë të Partisë Socialiste janë të pakundërshtueshme. Paratë e drogës derdhen përmes investuesve privatë të cilëve iu jepen koncesione nga qeveria e Ramës. Oligarkët shqiptarë që punojnë me apo nën kryeministrin socialist Edi Rama i investojnë paratë e pastruara të drogës në projekte të mëdha private ndërtimi ose në kontrata shërbimesh publike, dhënë nga Rama në koncesione 10-vjeçare (për shembull check-up mjekësor, ndërtimin e shkollave publike, inceneratorëve, rrugëve, etj.) Mega-skandali më i fundit korruptiv është i lidhur me ndërtimin e marinës së Durrësis që praktikisht u jep portin e vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë një grushti njerëzish të Ramës, përfshirë edhe ish-liderin e diskredituar e të shkarkuar të opozitës.

Në këtë kuadër, protestat masive të 7 korrikut dhe 12 nëntorit 2022 kanë provuar se ka dhjetëra mijëra shqiptarë që duan të luftojnë për vendin, lirinë e familjet e tyre. Ata nuk duan të jenë lypës në pragun e vendeve të tjera. Ata duan të punojnë e jetojnë me dinjitet këtu, në vendin e paraardhësve, kur kanë rrënjët, traditat dhe historinë. Ata duan të begatojnë e ta bëjnë këtë vend një shembull demokracie e stabiliteti në rajon. Këta burra e gra kurajozë protestojnë që të mundin të ndërtojnë një vend të denjë për historinë, dinjitetin e tyre, dhe për familjen evropiane të cilës ne i përkasim.

Komuniteti ndërkombëtar duhet të kuptojë se nuk është opozita ajo që i ka nisur këto protesta. Ato vijnë si rezultat i presionit të jashtëzakonshëm mbi njerëzit që mezi e arrijnë fundin e muajit, mbi ata që nuk janë në gjendje të ushqejnë fëmijët, që nuk flasin dot lirisht në vendin e tyre. Partia Demokratike dhe partitë e opozitës kanë marrë përsipër barrën e madhe që të ngrihen në lartësinë e këtyre kërkesave dhe të kanalizojnë zemërimin, vuajtjen dhe protestën e burrave e grave të ndershme të këtij vendi që e ndiejnë se askush nuk ua vë veshin. Me keqardhje ata ndihen të padëgjuar nga komuniteti ndërkombëtar e sidomos nga familja e tyre evropiane.

Për të gjitha këto arsye, burrat e gratë guximtarë të këtij vendi e shohin Samitin BE-BP të 6 dhjetorit si rastin e duhur për t’u transmetuar liderëve të Bashkimit Evropian – që shihen si miq e aleatë, si anëtarë të familjes sonë natyrale politike – vuajtjet e tyre të mëdha. Njerëzit e ndershëm e punëtorë të këtij vendi duan të bëjnë të mundur që zëri i tyre të dëgjohet dhe të kërkojnë ndihme direkt nga ata që udhëheqin vendet anëtare të BE. Ne i mirëpresim miqtë tanë në Tiranë. Ne mbetemi me shpresë se zërat tanë nuk do të trokasin në veshë shurdhë dhe se situata e rëndë do të shihet me seriozitetin më të madhe dhe me vullnetin për ta zgjidhur së bashku.

Ne jemi të vetëdijshëm se vetëm shqiptarët mund të sjellin demokraci në vendin e tyre. Ne thjesht kërkojmë një dorë që të na ndihmojë për ta arritur, në mënyrë që Shqipëria të mos bëhet një tjetër Bjellorusi para syve të Bashkimit Evropian. Atëherë do të ishte tepër vonë – e thirrjet për zgjedhje demokratike, demokraci e liri nga komuniteti ndërkombëtar do të ishin të kota – sepse ju anëtarë të nderuar të BE do të keni ndihmuar në bërjen e Ramës Lukashenko të Ballkanit.