“Katar 2022”/ Brazili dhe Kroacia, përballje me aziatikët
Sot zhvillohen dy takimet e radhës të raundit të 1/8-ve në Kupën e Botës.
Në fillim zbresin në fushë nënkampionet e Kroacisë, të cilët duhet të kalojën pengesën Japoni.
Një sfidë e komplikuar dhe tepër e vështirë për djemtë e Zlatko Dalic.
Përballë tyre do të jetë kombëtarja aziatike, që i surprizoi të gjithë duke dalë e para në një grup ndaj Spanjës dhe Gjermanisë.
Ndeshja fillon në orën 16:00 dhe do të zhvillohet në stadiumin “Al Janoub Stadium”.
Kjo është hera e tretë që këto dy skuadra do të ndeshen në një Botëror.
Luka Modric po shijon Botërorin e katërt, që pritet të jetë edhe i fundit për mesfushorin fantastik.
37-vjeçari luajti ndeshjen e tij të parë në një Kupë Bote në Gjermani 2006 ndaj Japonisë.
Pas 16 vitesh rigjen sërish japonezët përballë me misionin për të udhëhequr skuadrën e tij drejt çerekfinaleve.
Në mbrëmje, në orën 20:00, është radha e rekordmenëve të Kupës së Botës.
Brazili do të përballet me Korenë e Jugut për herë të parë në një sfidë zyrtare.
Kombëtarja “Seleçao” e nis si favoritë në “Stadium 974”, por koreanët e udhëhequr nga Son Heung-Min nuk kanë asgjë për të humbur dhe do tentojnë befasinë e madhe.
Tite i gëzohet rikuperimit të mbrojtësit Danilo, teksa në gjendje të mirë është edhe Neymar, por ylli i sulmit, i cili qëndron jashtë që prej dëmtimit të kaviljes në takimin e parë ndaj Serbisë, me shumë mundësi do e nisë ndeshjen nga stoli për të përfituar minuta gjatë zhvillimit të takimit.
Gabriel Jesus dhe Alex Telles e kanë mbyllur Botërorin si pasojë e dëmtimeve, ndërkohë që në sulmin e Brazilit ka balotazh midis Richarlison dhe Rodrygos.
Fituesit e këtyre dy çifteve do të përplasen mes tyre në çerekfinale.