Gjata: Do ta bëjmë protestën tonë paqësore përpara kryeministrisë, është e drejtë kushtetuese!

Juristi i mirënjohur Çlirim Gjata, që mori pjesë në emër të PD-së sot në takimin e kërkuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit lidhur me protestën e opozitës më 6 dhjetor, theksoi se e drejta për të protestuar është kushtetuese dhe se protesta do të jetë paqësore dhe do të mbahet përpara kryeministrisë, për t’i treguar partnerëve ndërkombëtarë të gjitha korrupsionin që bën kjo qeveri.

Gjata shpjegoi se qytetarët do të shpreheshin kundër qeverisë ndaj dhe protesta duhej mbajtur aty, duke shpjeguar qartë se ata nuk mund të protestonin përpara Bankës apo Muzeut Historik, pasi nuk ishin kundër Guvernatorit të bankës apo drejtorit të Muzeut.

“Nuk është çështje në bie apo nuk bie dakord policia me këtë. E drejta e protestës, e tubimit protestues, është e drejtë kushtetuese. E ka Kushtetuta; është e drejtë ligjore, e drejtë që sanksionohet nga neni 11 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut; e ka sanksionuar Gjykata Kushtetuese jo vetëm me dy apo tre vendime të saj, ku përcaktohet se “nuk kërkohet leje paraprake, thjesht lajmërohet për të bërë protestë”. E ka dhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, ajo që quhet Gjykata e Strasburgut në shumë vendime të saj, pikërisht këtë, që e drejta e protestës bën pjesë në të drejtat themelore të njeriut, pra është e drejtë bazë, e drejtë themeli, të gjitha problemet e tjera janë probleme teknike në shërbim të kësaj të drejtë, në zbatim të kësaj të drejte dhe nuk mundet që problemet teknike të kapërcejnë të drejtën kushtetuese të protestës që sanksionet dhe nga aktet ndërkombëtare.

Prandaj këtë gjë e siguruam. Ajo që ne mund të garantojmë është se protesta do të jetë paqësore, nuk do të ketë absolutisht asnjë lloj problemi. Është kundër qeverisë dhe prandaj po kërkojmë që ta bëjmë aty. Nuk do të bëjmë protestë përpara Bankës, sepse ne nuk kemi protestë kundër Guvernatorit të Bankës, as kundër drejtorit të Muzeut Kombëtar! Ne kemi protestë kundër qeverisë, për t’i treguar të gjithë partnerëve ndërkombëtarë për gjithë korrupsionin dhe zullumet që po bën kjo qeveri."

Pyetje: Po në datën 6 dhjetor, në mëngjes, Policia do të vendosë kordon në hyrje të bulevardit, duke mos lejuar protestuesit që të afrohen përballë Kryeministrisë. Çfarë do të ndodhë?

Gjata: Atëherë policia do të jetë në thyerje të rëndë të Kushtetutës dhe të akteve ndërkombëtare për të drejtën e protestës, do t’u tregojë të gjithë partnerëve ndërkombëtarë që unë s’jam një polici e një vendi demokratik, jam një polici në shërbim të një njeriu, të pushtetit të një njeriu...

Dhe policia do të jetë në shkelje, në shërbim të pushtetit të një njeriu dhe këtë do ta kuptojnë të gjithë partnerët ndërkombëtarë që do të vijnë atë ditë. Në do të bëjmë protestën tonë paqësore. Është e drejtë kushtetuese. Të 16 llojet e sigurisë, të 616 llojet e sigurisë, kanë detyrimin të zbatojnë Kushtetutën, të drejtën Kushtetuese.”