‘Porositej kokainë me celular 24/7’, gjykata jep 50 vite burg për grupin shqiptar të drogës

50 vjet burg ka dhënë një gjykatë britanike për një grup shqiptar të drogës, të cilët drejtonin një qendër telefonike që furnizonte me sasi të mëdha kokaine në Mançester.

Ata e organizonin grupin e tyre, nëpërmjet një qendre thirrjeve të vendosur në një banesë, ku me anë të një telefoni celular, klientët mund të porosisnin lëndën narkotike. Një celular i veçantë përdorej më pas për të dërguar korrierët për të shpërndarë drogën.

Operacioni i shpërndarjes së drogës kishte si bazë Preston dhe Chorley, dhe u zhvillua përgjatë 24 orëve në ditë dhe shtatë ditëve në javë dhe vlerësohet të ketë furnizuar me shumë kilogramë kokainë zonën me një shumë që vlerësohet në rreth 2 milionë paund.

Dënimet

Grupi u shpërbë pas një hetimi të gjatë dhe kompleks nga “Lancashire Constabulary”. Pesë anëtarët kryesorë u burgosën pasi u shpallën fajtor dhe dënuan për furnizimin me drogë e cilësuar si e klasit A, pas një gjyqi që nisi në fillim të këtij viti. Lojtari kryesor i grupit sipas mediave britanike, ishte Bekim Hasmegaj, 35 vjeç, banues në Marchëood Close, Blackrod.

Ai u dënua me 10 vjet burg. Albi Hoxhaj, 25 vjeç, i cili punonte në qendrën e thirrjeve, u burgos për pesë vjet e 10 muaj. Klevis Prenci, 33 vjeç, banues në Lee Lane, Horëich, u burgos me katër vjet e dy muaj. Ai u dënua më herë me burgim prej tre vitesh e nëntë muajsh për posedim me qëllim furnizim.

Ai konsiderohej si njeriu kyç në grupin e shpërndarjes pasi ishte përgjegjës për ndarjen e drogës në porcione, mbledhjen e parave dhe furnizimin e korrierëve. Altin Nikolli, 37 vjeç, nga Anglebank, Horëich, u dënua me pesë vjet e gjashtë muaj burg. Ai ishte i përfshirë në stafin e qendrës së thirrjeve. Ai merrej me strehimin dhe kujdesin për korrierët e rinj. Aurel Hila, 39 vjeç, luajti një rol më të vogël për bandën.

Ai u largua nga vendi dhe u dënua në mungesë të tij për pesë vjet. Pesë të tjerë që vepronin si korrierë u dënuan më parë me 14 vjet e dy muaj gjithsej për posedim të drogës me qëllime përfitimi.

Afati total i burgut është 48 vjet e 2 muaj. Gjatë hetimeve, prokurorët e përshkruan operacionin si “i ngjashëm me një kompani taksish” me linja telefonike që funksionojnë 24/7. Rosalind Scott-Bell e përshkroi ndërmarrjen “si një biznes familjar”, duke shtuar:

“Është e qartë se furnizimi i drogës ishte i shkëlqyeshëm dhe i shpejtë”. Detektivja Fiona Jackson, nga Policia e Lancashire , tha: “Këto dënime të rëndësishme vijnë si rezultat i një hetimi kompleks nga oficerët dhe stafi ynë dhe unë do të doja t’i falënderoja ata për profesionalizmin dhe punën e tyre të palodhur në rrëzimin e këtij grupi të krimit të organizuar. Ne do të vazhdojmë të ndjekim pa pushim ata që janë të përfshirë në krimin e organizuar, duke ndërprerë dhe çmontuar operacionet e tyre”.

“Ne do të sigurojmë që personat e përfshirë në krim të rëndë dhe të organizuar të mos përfitojnë financiarisht nga aktivitetet e tyre duke sulmuar financat e tyre, duke e bërë më të vështirë lëvizjen, fshehjen dhe përdorimin e produkteve të krimit”, shtoi ajo.