Sauditët nuk do të marrin makina Rolls Royce, kombëtarja është më shumë se kaq për ta

Trajneri i Arabisë Saudite, Herve Renard, ka mohuar zërat se familja mbretërore do t'i japë secilit lojtar nga një Rolls Royce pas fitores së madhe kundër Argjentinës.

Në rrjetet sociale u raportua  se çdo anëtar i skuadrës prej 26 lojtarësh do të merrte një Rolls Royce Phantom nga Princi i Kurorës Mohammed bin Salman pas fitores 2-1 kundër Gauchos, por francezi 54-vjeçar tha:

"Nuk ka asgjë të vërtetë në këtë. Ne kemi një federatë shumë serioze dhe ministrinë e sporteve dhe nuk është koha për të fituar diçka në këtë moment. Qëllimi i vetëm është të përfundojmë mes dy skuadrave të para të grupit dhe të ecim përpara”, tha Renard.

Sulmuesi i Arabisë Saudite, Saleh Al-Shehri, i cili shënoi një gol kundër Argjentinës, gjithashtu mohoi historinë për makinat e shtrenjta dhe shpjegoi në mënyrë fantastike se çfarë do të thotë për ta të luajë për kombëtaren.

"Kjo nuk është e vërtetë. Ne jemi këtu për t'i shërbyer vendit tonë dhe për të bërë më të mirën. Ky është shpërblimi i mjaftueshëm," tha ai.

Arabia Saudite u mund 2-0 nga Polonia të shtunën dhe vendimi për të kaluar do të merret në raundin e fundit kur ata do të luajnë me Meksikën.