SYRI TV/ Porti i Durrësit përfshihej në projektin 2.4 mld euro të Brukselit, delegacioni: Anulohet fondi

Porti i Durrësit përfshihej në projektin 2.4 miliard euro të Brukselit  për “Agjenda e Konektivitetit për Bashkë-Financimin e projekteve në Ballkanin Perëndimor”,  derisa qeveria shqiptare vendosi ta kthejë në një marinë jahtesh. Ky transformim i portit e përjashton atë nga projekti, anulimi i të cilit është pranuar nga Delegacioni i BE në Tiranë për SYRI TV.

Nga SYRI TV

Shndërrimi i Portit të Durrësit në marinë jahtesh, jo vetëm që i heq të drejtën Shqipërisë për të përfituar 28 milionë euro nga buxheti i Brukselit, por, për më tepër, cenon një projekt madhor të Bashkimit Europian që përfshin të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Delegacioni i BE-së në Tiranë pranoi për “Syri Televizion” se është anuluar granti i mbetur nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor për ndërtimin e kalatave 1 dhe 2 të Portit të Durrësit, pas ndryshimit të përdorimit të portit aktual.

Në vitin 2018, Bashkimi Europian miratoi një fond prej 28 milionë euro për rikonstruksionin e Portit të Durrësit.

Ky fond ishte pjesë e projektit “Agjenda e Konektivitetit për Bashkë-Financimin e projekteve në Ballkanin Perëndimor, me vlerë totale 2.4 miliardë euro.

Agjenda europiane parashikon një rrjet gjigant lidhjeje ndërmjet vendeve të Ballkanit, ku përfshihen ndërtimi dhe rikonstruksioni i infrastrukturës rrugore, detare dhe hekurudhore.

Sipas dokumenteve të siguruara nga ‘Syri Televizion”, në projekt janë përfshirë Serbia, Bosnja, Mali i Zi, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Kryekomisioneri i Bashkimit Europian në kohën e miratimit të Agjendës së Konektivitetit, Johanes Han, deklaroi se kjo strategji konfirmon perspektivën solide europiane të Ballkanit Perëndimor.

Po ashtu, Han deklaronte se projekti rajonal thekson se sa e rëndësishme është bashkëpunimi rajonal në rrugën e integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ne kemi zhvilluar një "axhendë të gjerë lidhjeje" me masa shumë konkrete, nga të cilat përfitojnë qytetarët në të gjithë rajonin, me fokus në përmirësimin e transportit dhe lidhjet energjetike brenda Ballkanit Perëndimor si dhe ndërmjet rajonit dhe BE-së”, tha në atë kohë Johanes Han.

Por, tashmë ky vullnet i Bashkimit Europian po hidhet poshtë nga qeveria Rama, e cila detyroi Brukselin që të anulojë fondin 28 milionë euro të “Agjendës së Konektivitetit” si një reagim për ndryshimin e destinacionit të Portit të Durrësit.