VIDEO-SYRI TV/ Deputetët e PS refuzuan 1 minutë heshtje, indinjohen ish-të përndjekurit politikë

Refuzimi për të mbajtur një minutë heshtje nga deputetët e Partisë Socialiste në seancën e fundit parlamentare, për  38 intelektualët e vrarë më 16 nëntor 1944 nga komunistët, në vigjilje të çlirimit të kryeqytetit, ka shkaktuar indinjatë te ish-të përndjekur politikë.

Më anë të një deklarate për media, anëtarë të Shoqatës së të përndjekurve i kërkojnë opozitës që këtë të enjte mos të lejojnë fillimin e seancës plenare pa kërkuar falje deputetët e mazhorancës për refuzimin e nderimit të të vrarëve nga komunizmi.

Përfaqësuesi i tyre tha: “Imazhi i kësaj skene, sa primitive aq dhe ofenduese ka tronditur mbarë opinionin shqiptar, në veçanti familjet tona që provuan plumbin komunist dhe sot, pas 32 vjetësh, pluralizëm po përjetojnë urrejtjen e trashëgimtarëve të komunizmit. Si është e mundur që këta deputetë tregojnë narcizmin e tyre ideologjik diktatorial duke përçmuar jetët e pushkatuara pa faj?!

Kush ua jep të drejtën këtyre deputetëve të fyejnë jetët njerëzore?! I kërkojmë nesër opozitës në parlament të mos zhvillohet seanca parlamentare pa kërkuar falje ata deputetë që me paturpësinë më të madhe nuk u ngritën të mbanin një minutë heshtje.”  

Deputeti i PD, Belind Këlliçi në atë seancë, që bëri propozimin, u ndesh me kundërshti nga Nënkryetarja e Kuvendit.