Më 6 dhjetor vijnë doktorët

U bënë ditë që sorrat nga kampi i qeverisë klithin me zhargone fjalësh të kalbura se është turp e faqja e zezë, antishqiptarizëm e barbarizëm,prag konflikti social e destabilizim po të protestohet më 6 dhjetor. Nuk thonë pse, nuk shpjegojnë sepse, nuk sqarojnë qartë e hollë këtë gjëmë që po na gjetka. Veç çjerrin faqet e shkulin leshtë me fjalët jazëk e jazëk majë gjuhës.

Po shqiptarët qeshin nga reagime të tilla. U kujtohet Ramiz Alia në vitet ‘90 kur iniciatorët e rrënimit të diktaturës i quajti antishqiptarë, tradhtarë e agjentë të shteteve që na urrejnë. Pas 32 vitesh, nga nipat e mbesat e Alisë këndohet i njëjti refren. U janë mykur idetë e mendimet,u mbajnë erë thartirë nga larg.

Protesta e 6 dhjetorit ka plot simotra në shtetet demokratike. Kujtoj përplasje me policinë në Kanada, Spanjë, Gjermani, Zvicër… kur organizohen samite të nivelit të lartë. Greqia e priti me ashpërsi masive vizitën e presidentit Clinton para ca vitesh. Kështu ndodh te vendet ku qeveria nuk fle në charter apo nanuriset në shilarësen e një drejtësie servile dhe lëpirëse. Dhe ne atë do bëjmë më 6 dhjetor. Do mblidhemi te sheshet dhe:

-Do urojmë mirëseardhje krerëve të Evropës.

-Do u themi që si popull, kjo qeveri na ka sëmurur rëndë.

-Na ka vjedhur pasuritë e atdheut.

-E ndan buxhetin me shokët e kryeministrit.

-Po shpopullon vendin.

-Me koncesionet ka siguruar vjedhjen tonë edhe për 35 vitet e ardhshme.

-Na mbyti në borxhe.

-Çdo vit, grabit afro 1 miliard nga taksat e tatimet.

Ja, ky është thelbi i tubimit të 6 dhjetorit. Shfaqje e simptomave të sëmundjes sonë. E krerët e Evropës do na dëgjojnë,do na venë diagnozën e do të na japin mjekim të shërohemi. Se ata janë doktorët e progresit. Fat që vijnë tek ne më 6 dhjetor. Detyrë jona që të tregojmë açik sëmundjet që na ka sjellë kjo qeveri.