Në mungesë të Italisë, Edy Reja tregon për cilin bën tifo në Botëror

Dje, më 20 nëntor, nisi zyrtarisht Botërori 2022 me ndeshjen debutuese mes organizatorëve të Katarit dhe Ekuadorit.

Disa kombëtare janë favorite për ta fituar trofeun e shumëlakmuar, duke filluar me kampionët në fuqi të Francës e deri tek Argjentina dhe Brazili.

Trajneri italian Edy Reja, aktualisht në stolin e kombëtares së Shqipërisë, në pritje të rinovimit ose jo, sepse kontrata i skadon shumë shpejt, ka folur për “Corriere dello Sport” duke bërë një parashikim personal për fituesin.

Ja deklaratat e tij: “Argjentina dhe Brazili favorizohen edhe prej klimës. Unë jam duke bërë tifo për Scalonin (trajnerin e Argjentinës). E kisha te Lazio dhe e çova tek Atalanta. I jashtëzakonshëm në dhomat e zhveshjes, por edhe i zgjuar dhe pak i bezdisshëm, në një mënyrë të mirë.

Pas çdo ndeshjeje ai vinte në dhomat e zhveshjes për të më thënë: Mister, unë do ta kisha bërë këtë në vend të tij. Ai merrte pjesë në analizat e ndeshjeve. Qysh asokohe mund të shihje predispozicion të tij ndaj strategjisë taktike.

Ai luajti Kupën e Botës 2006 me ‘Seleccion’ dhe tashmë ka përvojë si lojtar. Ai është i mirë, i evoluar nga pikëpamja taktike. Shpresoj të arrijë deri në fund. Messi mund ta ndihmojë atë. Do ta shihni që do ta vendosë në kushtet më të mira për t’u shprehur”.