Rama sfidon Metën: Më 18 Qershor shqiptarët me zgjedhin mua dhe PS, jo ju...

Kryeministri Edi Rama nuk tërhiqet dhe vazhdon të insistojë se zgjedhjet do të mbahen më 18 qershor, duke dhënë një sinjal të qartë për opozitën dhe aleatin e tij Ilir Meta.

Pasi sulmoi dhe sfidoi opozitën për 18 Qershorin, Rama përjashtoi aleatin e tij nga fitorja duke thënë se shqiptarët do të zgjedhin vetëm atë dhe Partinë Socialiste.

Shtyrja e zgjedhjeve nuk është një opsion për Kryeministrin, i cili në video-monologun e tij të përjavshëm në facebook tha se 18 qershori do të jetë data kur populli do të zgjedhë.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri vazhdoi “këngën e vjetër” me sulmet ndaj opozitës, duke thënë se kush kërkon shtyrje të zgjedhjeve ka frikë nga drejtësia.

Video-monologu i Kryeministrit Edi Rama:

Frika nga drejtësia po i jep jetë qasjes destruktive të PD-së. Frika nga drejtësia e ka kthyer ditën e gjykimit të popullit në 18 qershor në një ditë që politikanët e korruptuar të ngujuar në çadër nuk duan të vijë kurrë.

Nuk e duan 18 qershorin sepse populli do vendosë për Shqipërinë e 4 viteve të ardhshme. Janë gati ta rimarrin peng popullin e Shqipërisë.

Kemi humbur aq shumë kohë dhe janë gati ta hedhin në erë urën e brishtë që mezi kemi ndërtuar 27 vite me radhë për t’u lidhur me Europën.

Ata që nuk e duan 18 qershorin janë gati të na ndajnë për së gjalli nga Europa. Janë gati të bashkohen me kundërshtarët e BE. E duan Kushtetutën si libër pa kuptim.

Ata që nuk e duan 18 qershorin pa zgjedhjet e lira dhe të ndershme i kanë vetëm këngë në gojë.

Është një përplasje mes të ardhmes e së shkuarës. Është një ndarje e errësirës së vjetër. 18 qershori do të sjellë një mesazh të qartë: O me Europën o me frikën nga Europa, o me drejtësinë o me tmerrin nga drejtësia, o me PS dhe me mua...por askujt mos i shkojë mendja që më 18 qërshor populli do ndalohet të zgjedhë. Kjo jo, këtë nuk do ta lejojmë kurrë.