Më 19 nëntor 1912, Ismail Qemali u nis nga Triestja për të shpallur pavarësinë.

Më 19 nëntor 1912, Ismail Qemali u nis nga Triestja drejt brigjeve të Shqipërisë për të shpallur pavarësinë.

Më 21 nëntor, do të zbarkonte në Durrës prej vaporit të Llojdit austriak “Baron Bruck”. Në këtë qytet u prit në qelën e Dom Nikollë Kacorrit, i cili do të ishte pas një jave edhe zëvëndëskryeministri i parë i qeverisë së 28 nëntorit. Sipas letërkëmbimit mes Eqrem Bej Vlorës dhe Mustafa Krujës, ngritja e flamurit ishte menduar të bëhej më 22 nëntor në Durrës, me qëllim parandalimin e përparimit të mëtejshëm të ushtrive pushtuese në territorin e vendit.

Mirëpo, për shkak të gjendjes së nderë në qytet, Ismail Qemali lajmëroi telegrafisht delegatët nga mbarë vendi që të drejtoheshin për në qytetin e tij të lindjes, në Vlorë. Ndërkohë që forcat serbe përparonin me shpejtësi drejt Shqipërisë së Mesme, rrethet patriotike të Elbasanit (25 nëntor), të Tiranës e Durrësit (26 nëntor), të Kavajës, të Peqinit dhe të Lushnjës (27 nëntor), ngritën flamurin kombëtar, pa pritur mbledhjen e Kuvendit të Vlorës.