Lideri koreanoverior, Kim Jong-un, shfaqet për herë të parë me vajzën e vogël

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, është shfaqur me vajzën e tij të vogël në publik për herë të parë, duke konfirmuar lajmet e përfolura gjatë për ekzistencën e saj.

Vajza, që besohet se quhet Kim Chu-ae, ishte bashkë me të gjatë një inspektimi të lëshimit të raketës më të madhe balistike ndërkontinentale të vendit të premten.

Të dy qëndruan dorë për dore gjatë testit, i cili u dënua nga SHBA.

Kim drejton një nga shtetet me më shumë sekrete në botë dhe shumë pak dihet për jetën e tij personale.

Disa foto u publikuan nga agjencia shtetërore e lajmeve e Koresë së Veriut, KCNA, duke i treguar të dy të kapur për dore ndërsa ata bisedojnë, flasin me zyrtarët, inspektojnë raketat dhe shikojnë lëshimin.

Paraqitja publike e vajzës Chu-ae është e rëndësishme, tha Michael Madden, një ekspert i Koresë së Veriut nga Qendra Stimson në Uashington.

Z. Kim - gjenerata e tretë në familjen e tij që udhëheq Korenë e Veriut - po u tregon elitave në vendin e tij se ai ende ka një kontroll të fortë mbi pushtetin, tha Madden për BBC.

Ai tha se kjo mund të jetë mënyra e zotit Kim për të treguar "se gjenerata e katërt e pasardhësve të pushtetit do të vijë përmes linjës sime të gjakut".

Kjo erdhi pas raportimeve se "kishte një lloj konflikti midis z. Kim dhe grupeve të tjera të elitës në vitin 2021", shpjegoi zoti Madden.

“Nëse më sfidoni, do t’ju rrëzoj”, është mesazhi i zotit Kim, tha ai.

Madden tha se ai besonte se Chu-ae ishte midis 12 dhe 13 vjeç, që do të thotë se për rreth katër deri në pesë vjet ajo do të përgatitet për të shkuar në universitet ose në shërbimin ushtarak.

Në shtator, disa ekspertë të Koresë së Veriut raportuan se Chu-ae u shfaq në një video në festimet e Ditës Kombëtare të vendit.

Por ky ishte spekulim dhe lidershipi i Koresë së Veriut nuk konfirmoi se ishte me të vërtetë vajza e liderit.