Luan Baçi: Rama-AliBasha do zgjedhin Avokat të Popullit kandidatin që s'ka marrë votat e deputetëve

Deputeti demokrat Luan Baçi flet për një tjetër pazar mes Enkelejd Alibeajt dhe Edi Ramës. 

Gjatë mbledhjes së Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Baçi ngriti shqetësimin se Alibeaj ka përjashtuar nga gara një prej kandidatëve që ka marrë më shumë vota edhe brenda grupit të deputetëve të tij. 

Baçi tha se avokati Ledio Braho ka marrë mbështetjen e deputetëve, por Alibeaj do i dërgojë Ramës një emër tjetër, të preferuar prej tij. 

"Unë gjej hapësirën e duhur për ta thënë këtë se në vazhdimësi të kësaj marrëveshje do të ketë edhe marrëveshje të tjera që ju jeni dakordësuar paradhënie. Një nga marrëveshjet do të jetë për Avokatin e Popullit. Nga dy kandidaturat që ka propozuar ushtruesi i detyrës së kryetarit në atë grup deputetësh, madje duke i votuar në atë grup të vogël deputetësh që ka dhe ka nxjerrë si kandidaturë më të preferuar, të votuar, avokat Ledio Brahon. Në fakt, qofsha unë i gabuar, ju do të votoni bashkë me Alibeajn kandidaturën tjetër që s'ka marrë votat dhe nuk është as jurist madje. Parë në këtë këndvështrim, sinqerisht më vjen keq për Teatrin absurd që luhet si në komisione edhe në Parlament", u shpreh Baçi.