Francë: 26 të mitur të shpëtuar nga organizata humanitare arratisen nga qendra e pritjes

Më shumë se dy duzina emigrantë të mitur të pashoqëruar të shpëtuar nga anija humanitare Ocean Viking dhe të marrë nga Franca janë zhdukur nga qendra e tyre e pritjes, kanë thënë autoritetet lokale.

Këshilli në departamentin jugor të Var tha se prokurorit publik i ishte thënë se 26 nga 44 të rinjtë nën moshën ligjore në qendër kishin ikur.

“Tre nga 44 të miturit ikën të parët... pasi ishin marrë në kujdes”, tha presidenti i departamentit Jean-Louis Masson për gazetën Le Figaro. Mëngjesin e së enjtes janë zhdukur edhe 23 të mitur të tjerë”, shtoi ai.

"Kjo ishte e parashikueshme për ne," i tha AFP Christophe Paquette, zëvendësdrejtor i përgjithshëm përgjegjës për solidaritetin në këshillin e departamentit Var.

Ai shpjegoi se shumica e 26 të miturve ishin eritreanë që “nuk qëndrojnë kurrë” sepse “kanë objektiva specifike në vendet e Europës veriore” si Holanda, Luksemburgu, Zvicra apo Gjermania, ku duan të bashkohen me familjet apo të afërmit e tyre.

Emigrantët e rinj nuk ishin mbajtur në një zonë të mbyllur pritjeje, ndryshe nga 190 të rriturit që gjithashtu u ankoruan në portin jugor francez të Toulon një javë më parë pas dy javësh të bllokuar në Mesdhe në bordin e Ocean Viking, anija e shpëtimit e marrë me qira nga organizata humanitare evropiane SOS Méditerranée.

"Misioni ynë është t'i mbrojmë ata dhe jo t'i ndalojmë," shtoi Christophe Paquette, duke theksuar se departamenti e kishte "raportuar largimin e tyre" pasi "u përpoq t'u kthente mendjen atyre".