Muçllari prezanton kandidaturën në primare: Pogradeci meriton dinjitet

Oligert Muçllari prezantoi kandidaturën në primare për Bashkinë e Pogradecit. "Pogradeci nuk mund të mbetet akoma peng i një grupi të vogël klientelist pranë kryetarit të Bashkisë. Ai meriton dinjitet dhe duhet të qeveriset me dinjitet," deklaroi ai nga selia e PD.

DEKLARATA E PLOTE

Të dashur qytetarë të Pogradecit, të dashur anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike.

Dua të ndaj me ju lajmin e kandidimit në PRIMARET e Partisë Demokratike. Është një privilegj, por edhe përgjegjësi e madhe që këtë vendim ta ndajmë së bashku dhe, sigurisht, po së bashku të ndajmë garën dhe emocionet deri në fitoren e zgjedhjeve të 14 Majit.

Sakrificat e demokratëve, sakrificat tuaja këto 10 vite janë një motiv shumë i madh që ne, se bashku me qytetarët e Pogradecit të çojmë misionin tonë të fitores deri në fund.

Pogradeci nuk mund të mbetet akoma peng i një grupi të vogël klientelist pranë kryetarit të Bashkisë. Ai meriton dinjitet dhe duhet të qeveriset me dinjitet.

Bashkia Pogradec nuk mund të jetë pronë vetëm e një grushti të vogël njerëzish, përkundrazi, duhet të kryejë me përgjegjshmëri detyrat dhe t’ju shërbeje qytetarëve në të katër anët e territorit.

Bashkia duhet t’i kthehet detyrës për të cilin është votuar, dhe jo të ketë si mision zhvatjen, korrupsionin, presionin dhe papërgjegjshmërinë.

Bizneset dhe qytetarët janë bërë më të varfër nga kjo Bashki. Vetëm tre vitet e fundit taksat dhe tarifat janë trefishuar, dhe e gjithë kjo është në kurriz të biznesit dhe qytetarëve.

Rritja e varfërisë ka si shkak kryesor keqqeverisjen dhe abuzimin me lekët e qytetarëve, sepse të gjitha të ardhurat përqendrohen vetëm në një grup klientelist pranë kryetarit të Bashkisë.

Keqqeverisja është në nivele maksimale, aq sa Bashkia Pogradec rrezikon falimentin dhe të merret nën administrim nga Ministria e Financave. E gjithë kjo situatë ka një përgjegjës: Kryetarin e Bashkisë, Ilir Xhakolli.

Kjo situatë duhet të ndryshojë dhe do të ndryshojë.

Kam bindjen se qytetarët e Pogradecit presin modelin e kundërt të drejtuesit aktual.

Ne jemi në këtë mision pikërisht për të ofruar modelin e kundërt, jemi këtu për qytetarët e Pogradecit.

Të dashur anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike, të gjithë ne së bashku do të jemi në mision për të çliruar Bashkinë e uzurpuar pa zgjedhje në 2019, dhe do t’ia kthejmë atë qytetarëve të saj.

Ju falenderoj me mirënjohje