Konfirmohet sabotimi i Nord Stream: Gjendet gjurmë eksplozivi

Hetuesit kanë gjetur gjurmë eksplozivi në tubacionet e dëmtuara të gazit Nord Stream , duke konfirmuar sabotimin, tha sot një prokuror suedez.

“Gjatë hetimeve të vendit të krimit të kryera në vendngjarje në Detin Baltik, janë bërë sekuestrime të gjera sendesh dhe zona është inventarizuar me kujdes. Analizat e bëra tani tregojnë gjurmë të eksplozivit në disa prej objekteve të gjetura. Puna e analizave të avancuara po vazhdon në mënyrë që të mund të nxjerrim përfundime më të sigurta për incidentin ”, tha prokurori Mats Ljungvist .

Hetimi paraprak është kompleks

Sipas prokurorit, hetimi paraprak është shumë kompleks dhe i gjerë dhe deri më tani nuk dihet nëse dikush do të akuzohet për vepër penale.

“Bashkëpunimi me autoritetet në Suedi dhe vende të tjera po funksionon në mënyrë perfekte. Për vazhdimin e punës së hetimeve paraprake dhe për bashkëpunimet e ndryshme në vijim, është e rëndësishme që të punojmë në paqe dhe qetësi” , shton prokurori.

Tubacionet Nord Stream dhe Nord Stream 2 përshkojnë ujërat e Gjermanisë, Suedisë dhe Danimarkës. 

Të tre vendet po hetojnë shpërthimet.

 Autoritetet suedeze dhe daneze nuk kanë dhënë ende shumë detaje të hetimeve të tyre.

 Prokurori federal i Gjermanisë ka nisur një hetim penal për sulmet, duke dyshuar për sabotim.

Në Suedi, hetimi po drejtohet nga agjencia e kundërzbulimit të vendit. 

Në Danimarkë dhe Gjermani, policia dhe forcat detare të këtyre vendeve po marrin pjesë në hetime.

Për arsye administrative që rregullojnë ndarjen e informacionit midis agjencive, Suedia nuk po kryen një hetim të përbashkët me dy fqinjët e saj, por zyrtarët thonë se të tre vendet po punojnë ngushtë me njëri-tjetrin si dhe me partnerët e NATO-s.