Gjykata i hap rrugë ekstradimit/ Kush është 28-vjeçari turk që mashtroi qindra mijëra njerëz me investime virtuale

Pas pesë seancave të dështuara, Gjykata e Elbasanit ka vendosur t’i hapë rrugë ekstradimit drejt Turqisë të bosit turk të kriptomonedhave, Faruk Fatih Özer.

Vendimi u mor dje nga gjyqtari Elis Dine, ndërsa në seancës nuk ishte i pranishëm shtetasi turk. Në këtë mënyrë, gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorit, Kreshnik Ajazi për të kryer ekstradimin e të riut turk që mashtroi dhjetëra mijëra njerëz në Turqi për investime në monedha digjitale.

“Gjykata vendosi pranimin e kërkesës dhe lejimin e ekstradimit të shtetasit turk Faruk Fatih Özer nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Turqisë”, tha Dine, i cili deklaroi se një kopje e vendimit të Gjykatës do t’i dërgohet Ministrisë së Drejtësisë, e cila vulos edhe ekstradimin përfundimtar të tij nëse ky ekstradim lejohet edhe nga Gjykata e Apelit të Durrësit. Ende nuk dihet nëse avokatët mbrojtës do ta apelojnë vendimin brenda 15 ditëve të ardhshme. Seancat e mëparshme për këtë rast janë mbajtur më 6 dhe 21 tetor, si dhe me 1, 10 dhe 14 nëntor.

Arrestimi

Në kërkim për rreth 2 miliardë dollarë, Faruk Fatih Özer, u largua nga Turqia kur kuptoi se ndaj tij kishin nisur hetimet nga Prokuroria Publike e Stambollit Anadollian. Pasi u largua nga vendi i tij, ai mbërriti në Shqipëri dhe mediat turke shkruan më pas se po fshihej nga mafia shqiptare, pa dhënë ndonjë detaj domethënës për këtë. I riu i kërkoi motrës së tij më 18 prill 2021, të gjitha dokumentet e kompanisë dhe dy ditë më vonë u arratis në Shqipëri. Özer iku nga Turqia me këto dokumente dhe miliona dollarë para kripto që fitoi duke mashtruar 700 mijë njerëz.

Sipas të dyshuarve, dëshmia e të cilëve u mor në hetim, 5 drejtuesit e ndërmarrjes që ishin në arrati ishin të vetëdijshëm se Özer do të largohej. Megjithëse, Özer tha se u largua jashtë vendit me qëllimin për të gjetur një partner të huaj, vlerësohet se ai vendosi të arratisej pas hetimit të nisur nga Zyra e Kryeprokurorit Publik. Në hetimin e nisur më 22 prill nga Kryeprokurori Publik i Stambollit, 78 nga 82 të dyshuarit, ndaj të cilëve ishin lëshuar urdhër-arreste, u arrestuan.

Midis katër të dyshuarve ishte edhe menaxheri i “Thodex”. Për shkak të zhvleftësimit të vazhdueshëm të monedhës turke, Lira, qytetarët turq nisën të investonin masivisht paratë e tyre në kriptomonedha. I riu turk u arrestua më 30 gusht në kuadër të operacionit të koduar “Brain” i organizuar nga Policia e Elbasanit, ndërsa 28- vjeçari ishte në Himarë. Gjatë operacionit për arrestimin e tij, janë sekuestruar laptopë, aparate celulare, karta bankash etj. Ndërsa ende nuk dihet se ku është fshehur gjatë gjithë këtyre muajve, tanimë arratia e pronarit të “Thodex” që mashtroi qindra mijëra njerëz me investime në bursë ka marrë fund.