Zv.Kryeministri i Kosovës, Bislimi: Plani 'franko-gjerman' nuk e adreson Njohjen në rrafshin zyrtar

Prishtinë - Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi gjatë intervistës ekskluzive për gazetaren Fitore Rexhepi në “RTK Prime” ka dhënë detaje sa i përket planit që tashmë e ka marrë termin ‘franko-gjerman’. Ai ka thënë se ky plan nuk përbën epilog, pasi nuk e adreson në mënyrë të plotë njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ajo që kemi ndarë edhe në të kaluarën kemi thënë se ky plan nuk përbën epilog sepse nuk i trajton të gjitha çështjet e mbetura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nuk e adreson në mënyrë të plotë brengën tonë kryesore që është njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk kërkon nga palët që ta njohin njëra – tjetrën në rrafshin formal. De-facto është diçka tjetër, por de-jure nuk e kërkon. Kjo mund të futet në pakon le të themi e pranon si realitet, por nuk e njeh formalisht”, ka theksuar Bislimi në “RTK Prime”.

Ai ka thënë se pala kosovare ka kërkuar që njohja të jetë në qendër. “Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë e ka marrë emrin normalizim i plotë, a mendoni se diçka mund të quhet normalizim i plotë nëse nuk e ka edhe njohjen brenda. Prandaj, po them se nuk është epilog sepse nënkupton se duhet edhe një fazë tjetër që pastaj e merr epilogun procesi”, ka shtuar Bislimi.

Në pyetjen se a ka brenda këtij plani Asociacion të Komunave me shumicë serbe ai ka thënë se nuk ka Asociacion, por se “plani i ka pikat e veta, ku natyrisht si pikë janë edhe të drejtat e minoriteteve”.

Sa i përket transparencës së dialogut ai ka thënë se “është një proces shumë i rëndësishëm dhe në procese të tilla më e rëndësishmja është rezultati final. A është Kurti e Bislimi transparent është më pak e rëndësishme sesa a do të arrihet një rezultat optimal  në fund të këtij procesi”.

Sa i përket termit ‘plani franko-gjerman’, ai ka thënë se nuk ka ardhur një emërtim i tillë nga pala kosovare.

“Për herë të parë është thënë në Beograd nga z. Vuçiq, që ka thënë se ka një plan franko-gjerman me mbështetjen e SHBA-së dhe Turqisë. BE nuk e ka kundërshtuar dhe rrjedhimisht kjo është futur në zhargon, ku pastaj secili ka folur për planin franko-gjerman apo gjermano-francez. Por javën e kaluar z. Borell ka thënë se plani është i imi, por që e gëzon mbështetjen e Francës, Gjermanisë dhe SHBA-së”, ka shtuar Bislimi.

Bislimi: S`ka pasur strategji ç'ndodh pas afatit 10 muajsh për targat    

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë në "RTK Prime" se në kërkesën e partnerëve ndërkombëtar për shtyrjen e afatit për 10 muaj për konvertimin e targave ilegale në RKS ka munguar strategjia e ndërkombëtarëve se çka ndodhë pas atij afati 10 mujor.

Ai në “RTK Prime” ka thënë se nuk ka pasur garanci se çfarë do të ndodhte pas 10 muajsh dhe nëse të gjitha veturat me targa ilegale në veri të vendit do të riregjistroheshin.

“Na ka munguar strategjia që fshihet prapa këtij 10 muajshi. Ne për propozimin tonë kemi pasur vizion të qartë, çfarë ndodhë në këtë datë, pse ndodhë në këtë datë dhe ku dalim në këtë datë. Ndërkaq, kur thua se unë po mendoj se është mirë 10 muaj por nuk më tregon se çka ndodhë pas 10 muajsh.... Nuk ka pas as ide se çfarë do të ndodhë gjatë 10 muajve. Shtyrja ka qenë objektivi jo instrumenti. Shtyrja ndodh për shkak të shtyrjes. Është një tendencë që gjithmonë problemet të shtyhen për më vonë. Por kur unë pyes se çfarë ndodhë në gusht të vitit 2023, përveç se ju vini e thoni shtyni edhe për 10 muaj, nuk ka pasur përgjigje. Këtu është problemi. Nuk ka pasur strategji të qartë që thotë se bashkë me ju sigurohemi se deri në gusht zhduken tabelat ilegale në Kosovë”, ka theksuar Bislimi në “RTK Prime”.     

Ai ka thënë se është legjitime si komunitet ndërkombëtar të kërkojnë shtyrjen për 10 muaj, por po ashtu është legjitime që edhe ai të thotë pse 10 muaj dhe çka ndodhë gjatë kësaj periudhe.

“10 muaj është tuneli, ma trego dritën në fund të tunelit”, ka thënë Bislimi. Në pyetjen e gazetares Fitore Rexhepi nëse e ka parë atë dritë në fund të tunelit i dyti i ekzekutivit kosovar ka thënë se nuk e ka parë.

Bislimi: Serbia synon ta zhvendosë fokusin nga marrëveshja finale

 I dyti i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, duke folur për procesin e dialogut në Bruksel, ka thënë se tani Kosova dhe Serbia kanë hyrë në një binarë të caktuar, i cili është ndryshe nga zhvillimet e mëhershme.

“Më 18 gusht për herë të parë z.Lajçak si pikë të parë të agjendës së bisedimeve ndërmjet krerëve të shteteve e ka vendosur diskutimin për marrëveshjen finale dhe ka qenë dakordimi që kjo pikë të mbetet kryesore në secilin takim të radhës, për çka jemi dakorduar se do të ndodhin në baza mujore. Në të njëjtën kohë falë konsruktivitetit të Kosovës dhe përkundër destruktivitetit të Serbisë, në Berlin kemi arritur të nënshkruajmë tri marrëveshje të rëndësishme në kuadër të Procesit të Berlinit, ku Kosova trajtohet plotësisht njësoj sikur të gjitha shtetet e tjera, edhe pse ka pasur një tendencë të madhe të Serbisë që ta vendosë një asimetri kur është fjala për Kosovën”, ka thënë Bislimi në “RTK Prime”.

Sipas tij marrëveshjet e arriturat në Berlin nënkuptojnë mbylljen e Ballkanit të Hapur, “që është dështim kolosal edhe i Serbisë në politikat regjionale”, derisa ka thënë se Vuçiq po mundohet që përmes destabizilimit të gjendjes në Kosovë t’i shmanget procesit të ri të dialogut, ku diskutohet propozimi franko-gjerman.

“Në të njëjtën kohë kemi iniciativën politike të mbështetur nga Gjermania, Franca dhe SHBA për arritjen e një marrëveshje bazike mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të një procesi dyfazor të negocimit. Serbia, sidomos z. Vuçiq ka treguar në disa raste që këta binarë nuk i konvenojnë dhe rrjedhimisht është përpjekur që duke destabilizuar Kosovën të zhvendosë fokusin nga ky diskutim dhe të kalohet në menaxhim krizash. Qëllimi ynë dhe i z. Lajçak ka qenë që ky pretekst të eliminohet dhe të gjendet një zgjidhje që pak a shumë e detyron Serbinë të kthehet ose të tregojë haptazi obstruksionin e saj ose të kontribuojë në gjetjen e një zgjidhje në procesin në të cilin janë futur edhe Kosova edhe Serbia”, ka nënvizuar Bislimi.

Bislimi: Kthimi i Listës Serbe në Kuvend e demaskoi Beogradin

Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, i cili njëherësh është i ngarkuar edhe me procesin e dialogut me Serbinë në Bruksel, ka thënë se kthimi i sotëm i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës dëshmon se largimi i tyre ka qenë pjesë e strategjisë së Beogradit dhe është demaskim i lojërave të ndyta të autoriteteve të Serbisë para komunitetit ndërkombëtar, por edhe vetë qytetarëve serbë, të cilët e kanë votuar këtë subjekt politik.

“Për mua kthimi i Listës Serbe sot në Kuvend apo zëvendësimi i ulëseve nga vet ata, është demonstrim i qartë i argumentit tonë se largimi i tyre nuk ka pasur kurrfarë baze pakënaqësie eventuale por ka qenë pjesë e strategjisë së Beogradit. Nga momenti i largimit deri në momentin e kthimit nuk ka ndodhë kurrfarë ndryshimi. Rrjedhimisht, siç e kanë thënë vet ata, kjo është pjesë e strategjisë së tyre, pra po tregojnë se janë duke ndërtuar strategji për të dobësuar funksionalizimin e institucioneve tona”, ka theksuar Bislimi në një intervistë në “RTK Prime”.

Sipas Bislimit ky “është demaskim edhe para komunitetit ndërkombëtar, edhe pse ata shumica e dinë se këto janë lojëra të ndyta politike të Beogradit, jo të Listës Serbe’.

“Mirëpo, ndoshta është pozitive që ky është demaskim edhe para vetë qytetarëve serbë që i kanë votuar. Mandati i deputetit kërkohet me një synim, që të promovohen e shtyhen përpara interesat e një grupi të caktuar. Lista Serbe ka shtyrë zero interesa. Me këtë i ka treguar qytetarëve se synimi im nuk është t’i shtyjë agjendat apo interesat tuaja por të pengojë agjendat e shtetit të Kosovës”, ka shtuar Bislimi.

Ai ka thënë se nuk mendon që pengimi i avancimit të zhvillimit të mëtejmë të Kosovës është interes i qytetarëve serbë. “Lista Serbe paraprakisht i ka tradhtuar votuesit e vetë për të mundur të realizojë agjendën jomiqësore të Beogradit në Kosovë”, vijoi numri dy i ekzekutivit kosovar.