Prag lufte botërore/ Fotoja historike e liderëve perëndimorë është një manipulim propagandistik

Nga Peter Tiede, BILD

Kjo foto bëri xhiron e botës dhe është publikuar në gazetat kryesore gjermane, përfshi këtu gazetën BILD: Sundimtarët e botës së lirë të mbledhur kokë më kokë në një takim krize të mërkurën në mëngjes. Figura qendrore megjithatë qëndron në të majtë: kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Të fuqishmit e botës perëndimore po diskutojnë me ankth se çfarë do të thotë për botën raketa e rënë në Poloni disa orë më herët: luftë btoërore apo pak paqe?

Fotoja është realizuar në kuadër të samitit të G-20 në Bali, kur bota nuk e dinte me saktësi se nga vinin raketat që vranë dy fermerë në Poloni: nga Rusia apo nga Ukraina?

Presidenti i SHBA, Joe Biden kishte ftuar në mëngjes pesë krerët e tjerë të shteteve të NATO-s në hotelin e delegacionit, Grand Hyatt.

Në sallën e ballove, udhëheqësit nga Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Kanadaja dhe Spanja u mblodhën rreth një tavoline. Vetëm mikpritësi Joe Biden dhe kryeministri britanik, Rishi Sunak janë të ulur në foto. Në këmbë janë kancelari gjerman Olaf Scholz, Sanchez i Spanjës, Macron i Francës dhe Trudeau i Kanadasë.

Dhe pothuajse të gjithë sytë janë në drejtim të Scholz!

A po kërkon Perëndimi këshilla nga kancelari ynë? A është ai njeriu që po vendos tonin në këto çaste shokuese?

Mund ta mendoni kështu. Ndoshta duhet ta mendoni.

Sepse fotografia është një PR i qeverisë. Nuk është bërë nga një fotograf, por nga zëdhënësi i qeverisë së Scholz, Steffen Hebestreit. Ai kujdeset prej vitesh për reputacionin e politikanit socialdemokrat.

Fotoja është vetëm një akt balancues mes lustrimit politik të Scholz dhe fiksimit të një çasti. Fotografët nuk u afrohen kurrë momenteve të tilla historike. Kështu që duhet të marrim atë që na japin. Më mirë ta shohim me syrin e një strategu të PR-it sesa të mos shohim asgjë.

E gjitha vetëm PR

Profesori i komunikimit, Klaus Kocks, 70 vjeç, dikur shefi i PR-it për kompaninë Volkswagen, thotë për BILD: “Duhet të duket si një fotografi private, si një çast privat, por është e inskenuar, e koordinuar me stafin e PR-it të krerëve të tjerë të shtetit”.

Verdikti i pamëshirshëm i Kocks: “Fotografia është një gënjeshtër e pacipë”.

“Këtu duan të na trajtojnë si fëmijë- mesazhi që duan të përcjellin: mos kini frikë, do të kujdesen babi dhe xhaxhallarët e tjerë për ju”.

Immo von Fallois, kryestrateg i komunikimit në Eurocom, sheh një foto, publikimi i së cilës ka vetëm një qëllim: “Bëhet fjalë për një foto që duhet të mbetet ikonë”.

Momenti i fiksimit: “Jashtëzakonisht i zgjuar”.

Mesazhi i fotos sipas Fallois: “Fuqia liberale e përqendruar, e menduar, e vendosur, e sigurt”. Dhe në qendër: kancelari gjerman.