EurActiv: 30 përqind e shqiptarëve kanë ikur, emigracioni përbën një rrezik të madh për vendin

Portali i Brukselit, EurActiv shkruan se 30 përqind e shqiptarëve jetojnë jashtë vendit. Portali i referohet të dhënave të publikuara nga revista e njohur, Forbes, ku thuhet se shqiptarët përbëjnë diasporën e tretë më të madhe në botë.

Shqiptarët kanë diasporë më të madhe edhe se vende të tilla si Siria, Moldavia dhe Armenia. Përpara Shqipërisë është vetëm Bosnja dhe Guajana.

“Emigrimi përbën një rrezik të madh për Shqipërinë, ku gjysma e popullsisë së saj dëshiron ose planifikon të largohet. Përveç kësaj, eksodi masiv i të rinjve dhe të arsimuarve ka rezultuar në mangësi të konsiderueshme në sektorin e punës, si hoteleri, turizëm, prodhim dhe bujqësi.

Përveç kësja, ka shqetësime se nuk do ketë mjaftueshëm njerëz për të paguar sistemin e sigurimeve shoqërore, duke rezultuar në një deficit në të ardhmen e afërt dhe në probleme me pagesën e pensioneve, asistencës sociale dhe mbulimin e kostove të kujdesit shëndetësor dhe arsimor”.

“Ndërsa Shqipëria nuk është në luftë dhe konsiderohet një vend i sigurt, ajo është e rrënuar nga një mori çështjesh. Është një nga vendet më të varfra në Europë dhe ka probleme me korrupsionin, probleme me sistemin e drejtësisë dhe sundimin e ligjit, probleme me krimin e organizuar dhe infrastrukturën”, thuhet në shkrim.

Në analizë theksohet se Shqipëria është në një situatë të tensionuar me Britaninë e Madhe për shkak të eksodit të të rinjve drejt këtij vendi.

Më shumë se 12 mijë shqiptarë janë larguar vetëm me gomone drejt Britanisë gjatë këtyre muajve të vitit 2022.