Strazimiri: S’jemi në demokraci por në totalitarizëm! Protestat s’do të ndalen...

Anëtari i Kryesisë së PD, Gent Strazimiri, komentoi në edicionin e orës 19:00 me Juli Krisafin në Syri Tv paralajmërimin e Sali Berishës për protesta të tjera duke mos përjashtuar datën 6 dhjetor, ditë kur mbahet edhe samiti BE-Ballkani Perëndimor. Gent Strazimiri deklaroi se kjo është dita e duhur për t'i thënë Europës që këtu s'jemi në demokraci por në totalitarizëm.

"Mentalitet totalitar pavarësisht se teorikisht ka një opozitë në parlament që do me thënë se demokracia ecën. Pse them mentalitet totalitar? Qeveria nuk pyet për opinionin publik, nuk pyet për asgjë.

Votat i ka marrë e kapur në flagrancë në bashkëpunim me krimin apo duke shfrytëzuar të dhënat e shqiptarëve.

Me të njëjtin mekanizëm duan të mbajnë sërish pushtetin, kjo s'është më një demokraci pavarësisht se ke deputetë të opozitës në parlament.”-tha Strazimiri.