Totti: Kupa e Botës pa Italinë është si Roma pa Koloseun

Futbollisti legjendar italian Francesco Totti ka folur për Botërorin e ardhshëm në Katar, i cili në mënyrë të veçantë iu referua faktit që vendi i tij nuk është në mesin e pjesëmarrësve.

Italia nuk luan në Botëror sepse u eliminua në play-off nga Maqedonia e Veriut, kështu që do të jetë Botërori i dytë radhazi që mungon.

"Kupa e Botës pa Italinë është si Roma pa Koloseun. Është e pazakontë dhe për ne italianët është më se negative", tha ish-ylli i Romës gjatë një interviste që dha në Dubai.

Ai theksoi se këto gjëra mund të ndodhin dhe se ato duhet të trajtohen në mënyrën e duhur.

"Ne do të ndjekim një Botëror të ndryshëm, por mbetet një kompeticion i rëndësishëm me ekipe të mëdha. Ka gjithmonë të njëjtat skuadra: Franca, Brazili, Argjentina, Gjermania dhe Spanja. Çdo gjë mund të ndodhë në Kupën e Botës. Të luash në nëntor dhe dhjetor, ju nuk e dini se si lojtarët do të jenë fizikisht të gatshëm për ndeshjet”, shtoi Totti.

Totti gjithashtu theksoi se Seria A është një kompeticion që është gjithmonë interesant dhe se dëshira e tij më e madhe është që Roma të kthehet në Champions League.