Afera e Portit të Durrësit, Cara: Projektligji më i zi në histori! Rama po fal pasurinë kombëtare

Kandidati në primaret e PD për Bashkinë Durrës, Igli Cara, komentoi në emisionin 'Task Force' me Sonila Meçon në Syri Tv aferën korruptive të Portit të Durrësit.

Igli Cara deklaroi se ligji që i hapi rrugë këtij projekti është i 2020-ës ndërsa shtoi se kemi të bëjmë me projektligjin më të zi në historinë e Shqipërisë.

"Debat që në 2 vite ka qenë në tavolinën e qytetarëve dhe politikanëve, gjithashtu edhe grupeve të interesit. Kemi denoncuar që në fillim këtë mega-aferë.

Projektligji më i zi në histori, nuk ka guxuar as Enver Hoxha të bëjë një ligj të tillë, pa konkurrim e pa garë falet një tokë dhe aq më tepër një port si i Durrësit, porti jo vetëm i qytetit por dhe i rajonit.

Në nenin 6 të këtij ligji thuhej që jepet pa garë, në kundërshtim me marrëveshjen e stabilizim-asociimit. Janë shprehur kundër dhe përfaqësues të NATO-s dhe grupe të interesit.

Do falet një pasuri kombëtare që shkon në 3.8 miliardë euro dhe në këmbim të pothuajse asgjëje.

Rama është munduar ta mbajë si projekt madhështor. Gjuha e egër e tij filloi kur kuptoi që kjo çështje u godit në Gjykatën Kushtetuese. Që atë ditë Ramës i ka ikur humori."-tha Cara.