Degradrohet shtëpia e Pashko Vasës, objekt i trashëgimisë kulturore

Qeveria jep miliona euro për kthimin e shtëpive private në bujtina e biznese të individëve të caktuar, por lën në mëshirë të fatit shtëpi me vlera historike. E tillë është banesa muze e patriotit shqiptar në Shkodër, Pashko Vasa. Ndonëse një objekt i trashëgimisë kulturore të kategorisë së parë, ajo po shkon drejt shkatërrimit. Pasardhës të Pashko Vasës denoncojnë Ministrinë e Kulturës se ka refuzuar të restaurojë objektin.

Kjo shtëpi, e ndërtuar 300 vjet më parë, është streha ku lindi dhe jetoi patrioti dhe veprimtari i shquar shqiptar, Pashko Vasa. Shtëpia e tij, e rrallë në vlerat arkitekturore dhe historike është e shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë.

Por teksa qeveria, jep qindra mijëra euro, që shtëpi pa asnjë vlerë muzele të kthehen në bujtina e biznese private me para taksapaguesish, shtëpia Muze e Pashko Vasës, rrezikon të shembet për shkak të mungesës së mirëmbajtjes.

Një nga pasardhëset e Pashko Vasës, Rajmonda Vasa, denoncon Ministrinë e Kulturës dhe Drejtorinë Rajonale të Monumenteve për braktisjen që i kanë bërë këtij monumenti me vlera të rralla.

"Nga investimetimet që janë bërë në vite janë bërë punime jocilësore, që s’po përdor fjalë më të rëndomta. Investimet janë bërë, më shumë kanë përfituar ata që kanë ardhur për të punuar sesa kanë bërë riparime. Dhe tani është kjo katastrofë që po ndodh tek kjo banesë. Sa herë kam shkuar thonë ‘nuk është, kam punë, 3 ditë nuk jam, 4 ditë nuk jam, mbeta në zyrën e institucionit", shprehet ajo.

Ajo tregon se ka kërkuar të rikonstruktojë banesën muzeale, por institucionet janë kanë mohuar bonuesin e rikonstruksionit, me pretendimin se ajo nuk është paraqitur të firmos.

Rajmonda Vasa akuzon institucionet se po lejojnë shkatërrimin e një monumenti, që mbar vlera historike dhe arkitekturore.