Qeveria i vendos tra parkut në Divjakë. Qytetarët në protestë, largojnë traun nga parku

Qindra banorë të Divjakës kanë protestuar dhe kanë hequr me forcë traun që është vendosur në aksin rrugor kombëtar që kalon mes Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta. Për të neutralizuar banorët ishin dërguar dhjetra forca policie çka ka shkaktuar edhe përplasje me banorët. Sipas banorëve, vendosja e këtij trau I penalizon pasi ajo është e vetmja rrugë lidhëse e fshatrave të tyre me qytetin. Ministria e Turizmit bëri hap pas, duke deklaruar se banorët e divjakës nuk do të paguajnë për hyrjen në park.

Kështu nisi përplasja e qindra qytetarëve të Divjakës me dhjetëra forca të policisë së shtetit, që mbronin traun e vendosur nga Ministria e Turizmit, që kërkon të bëjë me pagesë hyrjen në parkun natyror Divjakë –Karavasta.

Qytetarët, të mbështetur nga kryetari i Partisë Demokratike në Lushnje Eduard Sharka dhe depuetja Ilda Dhori, pas disa minutash përplasje me policinë, arritën të largojnë traun nga rruga.

Depuetja e Partisë Demokratike Ilda Dhori, akuzoi qeverinë se po kërkon të privatizojë plazhin e Divjakës, ndërsa vendimin për traun e cilëson të paligjshëm.

Nga ana tjetër qytetarët kanë akuzuar qeverinë se po kërkon zaptimin e parkut kombëtar.

 Për vendosjen e traut në Parkun e Divjakës, reagoi dhe deputeti socialist, Erion Braçe. Ai e cilëson vendimin e turpshëm. Duke publikuar një video të traut në facebook, Erion Braçe shprehet se qeveria po kërkon të bëjë me pagesë të rrugën kombëtare që kalon përmes parkut. Por pas protestës së banorëve të Divjakës, Ministria e Turizmit bëri hapin e parë pas. Në një njoftim për mediat, ministria deklaroi se banorët e Divjakës do të përjashtohen nga pagesa për hyrjen në park, ndërsa u shpreh se për vendosjen e tij, ka marrë leje nga ARRSH, e cila është pronare e rrugës ku do të vendoset trau.