Gazetarja e BIRN: Nuk është rastësi që administruesit e inceneratorëve kanë marrë arratinë

Gazetarja e BIRN, Sandra Bogdani ka folur mbi prapaskenat e arrestimeve të SPAK në lidhje me aferën e inceneratorëve, ndërsa tha se nuk është rastësi që grupi i njerëzve që kanë administruar inceneratorët kanë marrë arratinë.

E ftuar në emisionin “Open” në News24 ajo shtoi se SPAK ka larë duart me një deklaratë për këtë çështje ku sipas saj ka bërë një ‘sallatë’ akuzash të reja e të vjetra, ndërsa shtoi se kjo ngjarje shënon një dështim tjetër të drejtësisë shqiptare.

“Nuk është rastësi, praktikisht gjithë grupi I njerëzve që e kanë administruar kanë marrë arratinë. Administratorët e dorës së dytë I kemi parë në komisionin hetimor. Dukej qartë që rrethi do shkonte deri te këta njerëz që kanë paguar miliona euro fatura nga paratë e shqiptarëve. Ka më shumë se 2 vjet që njerëzit kërkojnë përgjigje nga SPAK për këtë çështje, pse kaq vonë. Ka pasur denoncime e shkrime nga mediat, pra u është dhënë mundësia atyre që janë të përfshirë.

SPAK lan duart me një deklaratë për shtyp me një sallatë akuzash të vjetra e të reja në lidhje me një çështje kaq të madhe. Askush nuk hap telefonat për tu sqaruar me publikun.

Ky është një dështim tjetër i drejtësisë shqiptare, ata duhet të ishin pas hekurave për të treguar kush fshihet pas inceneratorëve. Kjo është historia më absurde në lidhje me pandëshkueshmërinë”, tha ajo.