Rritet numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë tek psikiatrja/ Rreli: Të rinjtë dominojnë

E ftuar sot në ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv, psikiatria Ariana Rreli shprehu se është rritur ndjeshëm numri i pacientëve te cilët kërkojnë ndihmë në zyrat e psikologëve dhe psikiatërve.

Sipas psikiatres, kjo situatë nuk ka vjen vetëm si pasojë e pandemisë së Covid-19 por edhe 6 muaj më parë ka pasur rritje të numrit të pacientëve që kërkojnë ndihmë.

Gjithashtu psikiatria shtoi se ndonëse barrierat e kërkimit të ndihmës duket se janë ulur edhe pse problematikat janë gjithmonë në rritje.

“Problemet nuk janë vetëm biologjike ku secili i shpreh, tjetër faktor janë edhe ato politike, sociale apo ekonomike, të vendit.

Numri dhe grupmosha  që duan të marrin këtë shërbim është rritur, por më shumë janë të rinjtë si mosha më aktive.

Kjo vjen si pasojë pasi qëllimet e tyre nuk po i stimulojnë dot në shoqëri, për shkak të pasigurisë në punë dhe po ashtu lidhen me ankthin, çrregullimet e gjumit, mungesa e përqëndrimit, luhatjet e humorit" tha psikiatria.

Po ashtu Rreli u shpreh se sipas studimeve të tyre, periudha e vjeshtës ka qenë problematike për shkak të çrregullimeve hormonale që ndodhin tek secili prej nesh, por tashmë është vënë re se nuk ka më një periudhe të caktuar.

Psikiatrja konstatoi se duke u nisur nga situatat e tërmetit dhe Covidit u kuptua se edhe truri ishte një organ si gjithë tjerët i cili i shfaqte problemet e veta ashtu si dhe organet e tjera dhe meritonte trajtim të posaçëm.

“Faktorë si gjumi, mënyra e të menduarit, oreksi, humori, ndërhyjnë në cilësinë e jetës se individit.

Po ashtu shumë probleme të lidhura me raportet familjare, puna, por edhe trafiku nuk të jep një stres të vogël.

Duke marrë parasysh zhumat, boriet e makinave, sharjet që në mëngjes, presioni nëse do arrijmë në kohë në punë, na japin impulse negative të cilat ndikojë gjatë gjithë ditës.

Covid-i erdhi si sulm i papritur, i cili  do ketë edhe në vazhdimësi problemet e veta, jo vetëm psikologjike edhe fizike, edhe në fakt ne sot i shikojmë pasojat.

Gjendja e ankthit ka marrë përmasa shumë të mëdha ne fakt në gjithë botën e cila ka goditur shëndetin mendor, kjo mund të zgjasë edhe vite me radhë.

Para Covid ne kishim vetëm një pjesë të shoqërisë që do ta vërente këtë ankth fiziologjikisht, tani kemi dhe pjesën tjetër si përjetuesit e ankthit.

Ankthi mund të kurohet edhe kur ka kaluar kohë që e kemi, por kur kemi  problematika të shëndetit mendor trajtohen më mirë që në fillim, po ashtu çrregullimet e të menduarit apo të humorit duhen kapur në kohë, pasi personi nuk do jetë efiçent dhe do të sëmurë të gjithë ambientin”, shtoi Rreli.