VIDEO/ Berisha: Nderim protestuesve guximtarë të Divjakës, që përmbysën traun e mafies së Edi Ramës!

Sali Berisha, kryetari i PD-së, e ka përshëndetur revoltën e banorëve të Divjakës, të cilët reaguan me ashpërsi ndaj vendimit të Ministrisë së Turizmit dhe ARRSH-së për ta bërë me pagesë, kalimin në të vetmen rrugë kombëtare që të çon në Parkun Kombëtar Divjakë - Karavasta.

Duke treguar skenat e forta të përplasjes së banorëve me policinë, Berisha shkroi në Fb: “Banorët e Divjakës ia bëjnë fora! Nderim protestuesve guximtarë të Divjakës, që përmbysën traun e mafies shtetërore të Edi Ramës në rrugën e tyre kombëtare!”

Ministria e Turizmit mori vendim më 25 tetor 2022 që në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta të vendosej një sistem elektronik biletarie, që sipas saj të bëjë të mundur, hyrjen dhe disiplinimin e vizitorëve dhe të makinave, duke e konsideruar këtë si “investim” nisur nga fluksi i madh i turistëve. Si rrjedhim, vizitorët, turistët, me ose pa automjet, duhet të paguanin një biletë për hyrjen.

Por, Ministria e Turizmit dhe vetë Bashkia e Divjakës që e miratoi pa zhurmë, me këtë vendim përjashtuan dhe injoruan tërësisht, ndikimin që kjo tarifë do të kishte tek qytetarët që shkojnë drejt bregdetit dhe në veçanti, tek banorët e asaj zone që e kanë pasur historikisht të lidhur gjithë jetën e tyre me këtë park.