Malltezi: Arrestimet për inceneratorët, qesharake! SPAK nuk heton dot, Zoto është sekser direkt i Edi Ramës!

Pas 11 urdhër-arresteve që SPAK lëshoi ditët e fundit lidhur me inceneratorët dhe që krijoi përshtypjen se tashmë drejtësia e re po vepron, një nga denoncuesit kryesorë të kësaj afere prej 430 milionë eurosh, Jamarbër Malltezi, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së, e konsideroi këtë situatë si qesharake.

“Ajo që ne po shikojmë është kthimi i SPAK-ut në ‘Sss-Kape”- drejtësi me regji të komanduar nga Edi Rama” deklaroi Malltezi dhe e ilustroi mendimin:

“Po të kemi parasysh, Alqi Bllako akuzohet për 120 mijë euro!!! Ky qenka problemi?! Afera e inceneratorëve qenka kthyer në një aferë 120 mijë euroshe?!" - Afera e inceneratorëve është 430 milionë euro, ndërkohë Lefter Koka akuzohet për Tvsh-të e kompanive fiktive!!! Pra për 4 milionë euro, që janë më pak se 1% e vlerës!"

Ndiqni argumentet e plota të z. Malltezi në një intervistë të dhënë sot  në SYRI TV, në emisionin Kafe Shqeto, i pyetur nga moderatorët, Flavio dhe Ola.

Ola: Z. Malltezi, ndodhemi përpara disa shifrave. 4 milionë euro të paguara për inceneratorin e Fierit, që presupozohet të ishin vënë në funksion të punëve që nuk u kryen kurrë dhe 60 milionë lekë dëm në Buxhetin e shtetit. Ç’mendim keni?

Jamarbër Malltezi: Unë mendoj se afera e inceneratorëve është shumë herë më tepër se këto që thoni ju. Ju thoni 4 milionë, por të kemi parasysh se për inceneratorin e Tiranës janë dhënë deri tani 46 milionë, pra 11 herë e gjysmë më shumë e në inceneratorin e Tiranës nuk keni as themelet e hapura. Ajo që ne po shikojmë është kthimi i SPAK-ut në ‘Sss-Kape”- drejtësi me regji të komanduar nga Edi Rama dhe kjo është shumë herë më e rëndë sesa po të ishin thjesht të paaftë si prokurorë apo të frikësuar, po kemi të bëjmë me një drejtësi me regji që të gjithëve u thotë Edi Rama se deri ku e kanë litarin të lirë që të “Sss-Kapin”, përndryshe nuk lejohen më tutje.  

Të kemi parasysh që Lefter Koka nuk është koka e kësaj afere, është “kokë turku”, të gjithë këta janë “koka turku”. Alqi Bllako akuzohet për 120 mijë euro!!! Ky qenka problemi?! Afera e inceneratorëve qenka kthyer në një aferë 120 mijë euroshe?! Është qesharake, sepse 120 mijë euro nuk janë as 0,05%...Po 99,8% të aferës, kush po e heton?! Është qesharake. Në shifra janë devijime të gjitha këto që kanë sulmuar, janë devijime, janë persona të komisionit të prokurimeve e gjëra të tilla për ryshfete të vogla.

Të fillojmë me pyetjen e parë: Kush e kishte autoritetin që të hidhet në kosh të plehrave, Strategjinë dhe Planin e Veprimit të Trajtimit të Mbetjeve, që ishte hartuar nga Bashkimi Europian?! Me jo më pak, por gati 4 milionë euro para nga taksapaguesit europianë. U hodh në kosh të plehrave.

Së dyti, kush ka autoritetin që kur thotë Agjencia e Prokurimeve Publike “stop, nuk mund ta bësh në këtë mënyrë se është e kundërligjshme” dhe të vazhdojë në atë mënyrë?! Domethënë, qartazi është një vullnet direkt nga kryeministri ose Ëngjëll Agaçi. Asnjeri tjetër!

Tjetër. Kemi rastin e famshëm sikur është pretenduar të bëhen nëntë procedura brenda një dite. Nëntë procedura me 17 firma brenda një dite! Këtë nuk e bënte dot as Alqi, Bllako, as Lefter Koka dhe asnjë nga ata “kamarierët” që kanë arrestuar dje. Jo për një ditë e për një natë, po sikur të rrinin edhe 100 vjet nuk e bënin dot. Nëntë procedura dhe 17 firma duan goxha më tepër aktivizim me urdhër të të gjithë institucioneve.

Së katërti, kemi Ministrinë e Mjedisit që kishte zero lekë në buxhetin e saj. Atëherë si mund të shkojë dikush e të firmosë jo një, po tri herë, kontrata dhjetëramilionshe dhe qindramilionë euroshe duke pasur zero lek në buxhet?! Është qesharake komplet. Nuk lejohej. Menjëherë Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave duhet të thoshte “stop, ti nuk ke para. Si mund të lidhësh kontratë ti?!”

Së pesti. Kemi parasysh se është një shkelje ligjore e hapur, flagrante. Nuk mund të dalë ministria, pra pushteti qendror të marrë tagrat e pushtetit vendor. Menaxhimi i mbetjeve është tagër ekskluzive e pushtetit vendor, nuk është i qeverisë. Pra, këtu kemi dhe shkelje të ligjit të menaxhimit të mbetjeve. Në rast se do të kishim një Sekretar të Përgjithshëm normal të Kryeministrisë, do ta kishte ngritur këtë dhe do të thoshte nuk mund të firmoset një kontratë e tillë.

Së gjashti: kemi një nen në kontratë që ka të bëjë me pamundësinë e heqjes dorë nga kontrata. Në cilindo Zyrë Arbritazhi ta çosh, ky nen e bën kontratën nul, sepse është nen direkt i përgatitur me urdhër politik dhe korruptim, në të njëjtën kohë, sepse çdo kontratë ka nenin përkatës sesi ndërpritet kontrata, kujt i adresohen palët, po nuk ekziston kontratë që të thotë “ke pamundësi të heqësh dorë nga kontrata”, pra ti çfarë të duash bëj! Bëj hesap, në kohët e sotme ti mund të ndahesh nga gruaja - Edi Rama nuk ndahet nga kjo kontratë: e imagjinoni dot çfarë është?! Këtu mjafton që SPAK të kishte le të themi, deçensën që të merrte në pyetje ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Zyrës Juridike në Kryeministri, Sekretarin e Përgjithshëm dhe të shikonte si mund të dalë ky nen. Mjafton kaq. Si mund të dalë ky nen?! Si mund të dalin para nga fondi i emergjencave për diçka që nuk ka qenë fare në Buxhetin e shtetit? Si mund të jepet garanci?! Kush i ka dhënë garanci këtij njeriu?!

Tjetër. Kemi më tej. Kemi parasysh që të njëjtët sekserë të Edi Ramës, të njëjtët, janë ata që kanë marrë 8 milionë euro për të zhvendosur plehrat e Elbasanit për tek venddepozitimi i ri. Është e njëjta dorë dhe të njëjtët që pa tender fare, tani duan t’ia ngopin Alqi Bllakos, por pa tender fare ia kanë dhënë Porto Romanon. Heqjen e mbetjeve, Porto Romanos, sjelljen e tyre në Tiranë ia kanë dhënë po kompanive të lidhura me Klodian Zoton, sekserin e Edi Ramës dhe një sekser i një ish-një politikani tjetër.

Qartazi kemi të bëjmë me një dorë. Po të kemi parasysh, është aferë akoma më e madhe, po Klodian Zotos i kanë dhënë dy herë nga dy milionë euro për të vendosur zgara në lumenj. Aty kanë dalë të dy ministrat e Mjedisit, edhe Lefter Koka, edhe Blendi Klosi, kanë dalë duke thënë “shiko ç’po bëjmë ne, po bëjmë një arritje të jashtëzakonshme” ndërkohë që janë paguar paratë, zgarat nuk ekzistojnë dhe ministria përkatëse nuk i ka marrë në dorëzim zgarat, sepse nuk ekzistojnë. I kanë dhënë paratë ndërkohë që s’kanë marrë në dorëzim veprën. Nuk flet njeri për këtë, nuk heton dot SPAK-u. Pse?! Është sekser direkt i Edi Ramës.  Kemi të bëjmë me një situatë goxha alarmante.

Tjetra që e bën gjithashtu përgjegjës direkt Erion Veliajn, përveç Edi Ramës, është situata e monopolit që kanë krijuar në Sharrë. Sharra ishte një institucion publik, ishte një e mirë publike e krijuar me fonde publike me të gjitha. A e dini ju se Sharrën gjithashtu e ka marrë si monopol, Klodian Zoto?!

E kanë marrë monopol i katërfishtë menjëherë. Kanë marrë mbetjet urbane, kanë marrë mbetjet e riciklueshme (këtu kanë dalë nga qarkullimi të gjithë ricikliuesit e tjerë sepse mbetjet e riciklueshme i ka vetëm Klodian Zoto, sekseri i Edi Ramës), kanë marrë mbetjet inerte ku do të hedhin gjithë kompanitë edhe dherat, që dherat nuk janë mbetje fare, janë mall po ta marrësh.

Flavio: Nuk ka nevojë për ndonjë shkencë të jurisprudencës apo për Giovani Falcone për të kuptuar se diçka nuk shkon, megjithatë si këta njerëz, emra të skemës dhe në fund firmëtarët politikë, po ia dalin t’ia hedhin paq? A keni shpresa se dy inceneratorët e tjerë që kanë mbetur do të shkojë pak më lart apo do të mbeten tek këto nivele?

Malltezi: Kjo deri tani nuk na ka dhënë shpresë për asnjë gjë. SPAK-u ka dështuar në mënyrë spektakolare se ka mbi dy vjet që gjoja po heton dhe nuk po vepron fare. Këtu mjafton të merrje kontrata dhe të shikoje si mund të ekzistojë një kontratë antiligjore. Si mund të lidhet një kontratë në rast se APP të thotë “jo nuk mund ta bësh”?! Pra, këtu një vullnet të lartë politik. Përderisa është e jashtëligjshme, kaq mjafton. Merre e shiko vetëm ligjshmërinë. Nuk ke nevojë të lidhesh te këto të vegjlit. Gjithmonë Komisioni i Vlerësimit të Ofertave aty është hallka më e vogël e zinxhirit, por nuk janë ata që kanë hedhur poshtë vendimin e APP, nuk janë ata që kanë hedhur poshtë Strategjinë dhe Planin e Veprimit të Mbetjeve, nuk janë ata që kishin tagër t’i thoshin shtetit fut këtë klauzolë për pamundësinë e ndërprerjes së kontratës, nuk kishin tagër t’i thoshin shtetit më jep para nga fondi i emergjencës se do t’i çoj për menaxhimin e mbetjeve, ndërkohë që nuk ishte fare pjesë e tagrave ligjore të Ministrisë së Mjedisit. Këtu mjafton të shikosh pse këta njerëz nuk e kanë bërë detyrën. Ti menjëherë e merr vesh, mjafton të afrosh disa prej tyre, t’i bësh bashkëpunëtorë të drejtësisë dhe e merr vesh njëherë pse ka ndodhur.

SPAK nuk ka reaguar as vjet. Ne jemi dëshmitarë se si të gjithë qytetet e Shqipërisë së Mesme u bënë brenda natës emergjenca të plehrave. Durrësi, Lushnja, Shijaku, Peqini i hidhnin plehrat në rrugë. Pse ndodhi kjo?! Me regji, me urdhër, me bilbil. Pse ndodhi?! Mjafton të hetonte këtë SPAK-u dhe menjëherë e shikonte. Ndodhi sepse të gjithë u urdhëruan të lidhin kontrata direkt me sekserin e Edi Ramës.

Një ndërtues i Edi Ramës, që Edi Rama i jep miliona, Salillari, i çonte dherat e tij që hapte nga Unaza e Tiranës, deri në Skuraj. Pra 50 km larg bënte me kamionë të mëdhenj që t’i çonte atje dhe t’i sillte, pra 100 km. Pse?! Sepse ishte monopol situata e hedhjes së dherave në Sharrë dhe i binte më lirë t’i çonte deri në Skuraj sesa në Sharrë. Ja çfarë situate kriminale monopoli ka krijuar.

Këtu SPAK- ka mbyllur fort sytë, ka mbyllur fort hundët, ka mbyllur fort veshët dhe bën sikur nuk dëgjon, nuk shikon, nuk kupton. Këtu çdo shqiptar e merr vesh që kemi të bëjmë me teatër. Ky është teatër, nuk është shtet ligjor. Po të ishte shtet ligjor do t’i jepte përgjigje disa prej këtyre pyetjeve që janë thuajse retorike, janë të qarta për këdo.

Situata monopol për Klodian Zoton nuk bëhet brenda ditës. Nuk ke fare, asnjë nga këto që kemi thënë. Inceneratorët, as të Elbasanit, as të Fierit, nuk ke tender ndërkombëtar ndërkohë që janë shifra mbi 15-milionë euroshe që ligji të detyron të kesh tenderë ndërkombëtarë. Janë  në dhunim të MSA-së. Kemi të bëjmë me shkelje ligjore.

Ola: Kanë kaluar mbi dy vite dhe ende nuk dihet fundi i hetimeve, edhe pse duket sikur afera e inceneratorëve po zbardhet. Sa ekziston mundësia që me vonesën e përfundimit të hetimeve të zbehet edhe shpresa për të dënuar personat përgjegjës?

Malltezi: Ajo aty po shkon, bile edhe pa përfunduar hetimet, ne po shohim që po arrestohen persona të rangut të dytë, që nuk kanë të bëjnë direkt, nuk kemi asnjë vendimmarrës. Pra u bë Lefter Koka - “kokë turku”, po dhe Lefter Koka jo për aferën e inceneratorëve, po për Tvsh-të, pra për krijimin e kompanive fiktive dhe Tvsh-të fiktive. Është qesharake t’i thuash dikujt. Afera e inceneratorëve është 430 milionë euro, ndërkohë Lefter Koka akuzohet për Tvsh-të e kompanive fiktive, për 4 milionë euro që është vetëm 1%, më pak se 1% e vlerës!

Ndiqeni të plotë intervistën  e z. Jamarbër Malltezi në videon e Kafe Shqeto. /ar.sh/SYRI.NET