A paguhet edhe Yuri Kim me paratë ruse?

Pasi lëshoi edhe ‘cicërimën’ e fundit në rrjetet sociale për ‘rublat ruse’, Edi Rama i hipi avionit personal dhe u ul për një konferencë të parëndësishme në Beograd.

Vizita e tij, një muaj pasi ka përsëritur çdo ditë çështjen e lidhjes së rublave me opozitën, vjen pikërisht pak orë pasi Aleksandër Vuçiç mirëpriti një ‘zagar sulmi’ të çeçenit Kadirov, që po bën kërdinë mbi popullatën në Ukrainë. Në atë takim, Vuçiçi u zotua se Putinin e ka vëlla dhe nuk do e dëmtojë kurrë miqësinë me vëllezërit rusë.

Por në kulmin e këtij paradoksi, në Shqipëri shënoheshin të tjera zhvillime. Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, përfaqësuesja e vendit që jo vetëm është në ballë të përplasjes me Rusinë, por që publikoi zyrtarisht raportin që tregon se rublat ruse po ndërhyjnë në politikën botërore, duke cituar konkretisht rastin e Lulzim Bashës në Shqipëri, po drekonte me Bashën dhe deputeten Jorida Tabaku.

Burimet e SYRI TV thonë se Kim ka drekuar për rreth katër orë me Bashën dhe tabakun në Hamallaj, pranë vilave të dy deputetëve demokratë.

Nuk dihet se çfarë ka biseduar Kim me ta, por ky mbetet një karshillëk i hapur që Yuri Kim po i bën Departamentit të Shtetit amerikan dhe vetë Shtëpisë së Bardhë.

Ishin shërbimet sekrete amerikane së bashku me DASH, të cilat publikuan raportin bombastik për financimet ruse. Nuk ishte aspak rastësi, që në mediat më të mëdha, një zë zyrtar nga Shtëpia e Bardhë, konfirmoi rastin e Lulzim Bashës për financimet ruse.

Pasi dhjetëra media nga më të mëdha në botë, folën për rastin e Shqipërisë dhe të Lulzim Bashës, Kim pranoi me një gjysmë zëri në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, se lajmi është zyrtar dhe i vërtetë.

Ndërkohë, kjo ngre një pikëpyetje të thjeshtë dhe të sinqertë: A është paguar edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim nga rublat ruse?

Se për çështjen tjetër, se kush është më pranë rusëve me politikat e tij dhe shumë lidhje të tjera, kjo nuk ka ndonjë dyshim. E keni në Beograd sot.