U diagnostikua me sëmundjen e rëndë, Haller: Beteja vazhdon, shihemi së shpejti

Sulmuesi i Borussia Dortmundit po i nënshtrohet trajtimit me kimioterapi për një tumor malinj testikular. Lojtari nga Bregu i Fildishtë po lufton me betejën me sëmundjen e keqe Sebastian Haller e di mirë një gjë të tillë dhe është gati të luftojë fort deri në fund. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë përjetoi një verë plot emocione ekstreme.

Në fillim erdhi transferimi nga Ajaxi te Borussia Dortmund, që pagoi 31 milionë euro në arkat e kampionëve të Holandës. 28-vjeçari zbarkoi në “Signal Iduna Park” me misionin për të zëvendësuar Erlig Haaland, por entuziazmi i këtij transferimi u kthye shpejt në trishtim.

Disa ditë më vonë, Haller mori vesh se vuante nga sëmundja e keqe në testikuj. Një lajm që i befasoi të gjithë, por “gjiganti” i lindur në Francë nuk u dorëzua dhe nisi menjëherë kimioterapitë.

Së fundmi, Haller ka njoftuar se do t’i nënshtrohet një tjetër operacioni. “Siç ishte planifikuar që në fillim, pas kimioterapisë kishte disa mundësi për t’u marrë në konsideratë. Më duhet t’ju them se për mua lufta nuk mbaron këtu, do të më duhet të bëj një operacion tjetër për t’i dhënë fund këtij tumori që më mban larg fushës.

Dua t’ju falënderoj të gjithëve për mesazhet mbështetëse dhe forcën që po më jepni në këtë kalvar. Mezi pres t’ju takoj të gjithëve“, shkruan sulmuesi afrikan në rrjetet sociale, teksa të gjithë tifozët e Dortmundit shpresojnë ta shohin sa më shpejt të shëruar plotësisht e gati për t’i emocionuar me gola.