Erdogan: Në duart e Bidenit çështja e F-16 - SHBA dhe Rusia nuk do të përdorin bërthamore

Presidenti turk Tajip Erdogan tha pas takimit të tij me presidentin amerikan Joe Biden në margjinat e samitit të (G20) se ai pret që çështjet rreth blerjes së Turqisë të avionëve luftarakë F-16 të SHBA të zgjidhen së shpejti.

Në komentet e tij për gazetarët, Erdogan pohoi se çështja është “në duart” e presidentit amerikan, siç pretendoi se ia kishte thënë vetë Biden.

Erdogan tha gjithashtu se, pas takimit të shefave të inteligjencës amerikane dhe ruse në Ankara, "as SHBA dhe as Rusia nuk do të përpiqen të përdorin armën bërthamore".

“Sipas informacionit që kam marrë nga drejtori im i inteligjencës në lidhje me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë, asnjëra palë nuk do të tentojë të përdorë armën bërthamore”, tha Erdogan, sipas Anadolu Agency.

Shefi i CIA-s William Burns dhe homologu i tij rus Sergei Naryskin u takuan në fillim të kësaj jave në kryeqytetin turk, konfirmoi presidenca turke.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Burns kishte paralajmëruar me këtë rast kreun e shërbimeve të inteligjencës ruse për pasojat e përdorimit të mundshëm të armëve bërthamore, të cilat Rusia ka kërcënuar t'i përdorë në Ukrainë.

Shtëpia e Bardhë kishte sqaruar lidhur me këtë takim se “nuk bëhej fjalë për asnjë lloj negociatash” dhe as “për një diskutim për zgjidhjen e luftës në Ukrainë”.

Erdogan tha gjithashtu se Turqia është në bisedime me disa vende për të importuar energji të cilën më pas do ta eksportojë, por pa përmendur asnjë shtet.

Në komentet që ai bëri në aeroplan për gazetarët që e shoqëronin, Erdogan tha gjithashtu se Ankaraja do të punonte me Moskën për të ndërtuar një termocentral bërthamor me katër turbina në provincën veriore turke të Sinopit.

Presidenti turk tha gjithashtu se ai mund të rishikojë marrëdhëniet me presidentin sirian Bashar al-Assad pas zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të planifikuara për qershorin e ardhshëm.

Kur u pyet për një takim të mundshëm me liderin sirian, Erdogan u përgjigj se në politikë nuk ka pakënaqësi të përjetshme apo grindje të përjetshme.