VIDEOLAJM/ Presidenti kinez poshtëron kryeministrin kanadez: Kjo që bëre nuk është e përshtatshme...

Gazeta britanike, Daily Mail, ka publikuar disa pamje, ku presidenti kinez, Xi Jinping, poshtëron kryeministrin kanadez,Justin Trudeau.

Të dy liderët u filmuan në kamera gjatë një diskutimi të ndezur në samitin global të Balit.

Xi dukej i frustruar kur u përball me Trudeau, të cilit i kërkoi llogari se si është e mundur që detajet e takimit mes tyre, kishin dalë në media pasi kishin rrjedhë nga burime qeveritare kanadeze.

“Gjithçka që diskutuam dje ka rrjedhë në gazeta dhe kjo nuk është e përshtatshme”, thotë Xi.

Trudeau mbetet pa fjalë, thuajse i përhumbur, duke tundur kokën. Presidenti kinez e vazhdon fjalën e tij me zemërim: “Dhe kjo nuk është mënyra se si u zhvillua biseda”.

Trudeau nuk i adresoi shqetësimet e presidentit kinez, por tha: “Epo në Kanada, ne besojmë në dialogun e hapur, të lirë dhe të sinqertë”.

Teksa Trudeau fliste, Xi dukej i frustruar dhe përpiqej që të mos bënte kontakt me sy. Më pas ai buzëqeshi sa për sy e faqe dhe shtrënguan duart.

Mediat kanadeze raportuan se gjatë takimit mes Xi dhe Trudeau, ky i fundit kishte akuzuar qeverinë kineze se po ndërhynte në institucionet e saj demokratike dhe në sistemin e saj gjyqësor.

Takimi vjen pas vitesh të tëra me marrëdhënie të tensionuara mes dy vendeve.