32 vjet nga rihapja e Xhamisë së Plumbit, 16 nëntor 1990 falja e parë për besimtarët

Në 16 nëntor të vitit 1990, në xhaminë  e Plumbit në Shkodër u mbajt falja e parë e besimtarëve myslimanë pas rihapjes së këtij institucioni fetar. Kjo datë njihet tashmë në historinë e Shqipërisë, si dita e rikthimit të besimit për qytetarët shqiptarë, të cilët u shpallën popull ateist gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës.

Këtë 16 nëntor, bëhen plotë 32 vjet nga thirrja e Ezanit të parë në Xhaminë e Plumbit, e cila ruan simbolikën e institucionit të parë fetar që u hap në Shqipëri pas rënies së sistemit komunist në fillim të viteve 1990.

Ajo ditë shënon një moment historik, pasi riktheu besimin te shqiptarët, të cilët pas vitit 1967 dhe deri në vitin 1990, u shpallën popull ateist nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës. Në 16 nëntor 1990, me udhëheqjen e Hafiz Sabri Koçit, mijëra qytetarë të Shkodrës zhvilluan faljen e parë në Xhaminë e Plumbit, pas 23 vjetësh izolim.

Besimtarë myslimanë në Shkodër, kanë treguar momentet historike të rikthimit të besimit dhe mbajtjen e faljes së parë në Xhaminë e Plumbit, si dhe sfidat me të cilat u përballën.

Ky objekt i kultit fetar të besimit islam, u ndërtua në Shqipëri në vitin 1777, ndërsa sot gëzon statusin e monumentit të Kulturës si një objekt me vlera të rralla. Aktualisht, Xhamia e Plumbit po i nënshtrohet një rikonstruksioni të përgjithshëm, për tu shërbyer besimtarëve por dhe turistëve.