Ish-të përndjekurit kujtojnë martirët e lirisë, Ndregjoni: Edhe sot kemi liri të cunguar

Një ceremoni nderimi dhe përkujtimi është zhvilluar këtë 16 nëntor për Martirët e Lirisë, nga ish-të përndjekurit politikë. Teksa kujtuan veprat e intelektualëve të vrarë gjatë periudhës së komunizmit, ish të përndjekurit kërkuan nga qeveria të mos mbajë peng dhënien e parcelës së kujtesës për intelektualët e vrarë në komunizëm.

Ish-të përndjekurit politikë kanë përkujtuar këtë 16 nëntor Martirët e Lirisë, duke zhvilluar një ceremoni nderimi për ta pranë monumentit “Intelektualët e Tiranës”. Në emër edhe të familjarëve të intelektualëve të vrarë, ata kërkojnë një vend prehje për ta, duke theksuar se qeveria po mban peng dhënien e parcelës së kujtesës për të vrarët gjatë komunizmit.

Një sygjerim ish-të përndjekurit politikë e kanë edhe për opozitën, që të përfshijë në programet e saj njohjet e krimeve të komunizmit.

Duke e cilësuar si një mision të papërmbushur dënimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri, ish-të përndjekurit politikë bëjnë apel për ndërmarrjen e nismave ligjore në mbështetje të kësaj kategorie.