Rusia ndalon hyrjen për 52 politikanë irlandezë, përfshirë kryeministrin

Rusia është shprehur se ka ndaluar hyrjen për 52 politikanë irlandezë, duke përfshirë kryeministrin Micheal Martin, duke akuzuar Dublinin për “një fushatë agresive propagandistike anti-ruse”.

Ndalimi përfshin zëvendëskryeministrin Leo Varadkar, ministrat e jashtëm, të drejtësisë dhe financave dhe disa parlamentarë.

Kjo është lëvizja e fundit e Rusisë kundër figurave të shquara nga vendet perëndimore që kanë dënuar luftën e saj në Ukrainë.

Si anëtare e Bashkimit Evropian, Irlanda i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë për pushtimin e saj më 24 shkurt dhe të dy vendet kanë dëbuar disa nga diplomatët e njëri-tjetrit.