Berisha: Shteti shqiptar fiton vetëm 200 mijë euro në vit, shqiptarët do paguajnë 2 miliardë për portin e ri

Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha se mega-afera e Portit të Durrësit është vjedhja më e madhe në historinë e shtetit shqiptar.

“Shteti shqiptar, nga ndërmarrja e Edi Ramës me Alabarin, fiton 200 mijë euro në vit. Kaq është sipas ekspertëve të porteve dhe detit. Kjo është Çuçi-bej, se është i apasionuar pas jahteve.

Në një kohë kur ai port përpunon sot rreth 4 milionë ton mallra.

Tani do na bëhet porti i jahteve të Ramës, Olsit, Çuçin të mos e harrojmë, klientelës së tyre, dhe pastaj do të vijnë edhe disa të tjerë, ortakë të tyre, nga Ballkani dhe Arabia. Pra, këto janë disa aspekte, kurse fitimi i Edi Ramës dhe Olsi Ramës, i Karriçëve dhe stër-Karriçëve që janë me ta, është përrallor.

Ata marrin falas 3 miliardë euro truallin, ata ndërtojnë nga ky, 12600 apartamente, një barbari e vërtetë urbanistike. E tëra kjo në tërësi, shitje në ajër, shitje në themel, ndaj na duhet edhe amnistia fiskale, të vërshojnë lumenjtë e narko-eurove apo narko-paundëve drejt Shqipërisë.

Vetë kompania Rama-Alabara, investon gjithsej 2 ose 3 përqind, më së shumti,” tha Berisha.

“Nuk ka njohur toka një vjedhje si kjo. Ndërtohet për pasunarët dhe qeveritarët Marina Bay, paguajnë shqiptarët sikur të jenë skllevër rreth 2 miliardë për portin tjetër.

Kurse Rama, Olsi dhe Karricët e tyre, sipas asaj që kanë shkruar aty, 60 përqind, se e kanë sekret, 60-përqindëshi nuk mund të jetë kush tjetër përveç Edi Ramës, Olsi Ramës, Bledi Çuçit dhe klanit qeveritar të drogës. Nuk mund të jetë kush tjetër,” tha Berisha.