Arrestohet murgesha, ushtronte dhunë ndaj të miturve

Një murgeshë është vënë në pranga në Itali, nën akuzën e keqtrajtimit të të miturve.

55-vjeçarja Marie Georgette Rahasimalala, e lindur në Madagaskar, u arrestua nga policia pas denoncimit se kishte keqtrajtuar disa të mitur që prisnin birësimin në institutin fetar “Santa Maria della Provvidenza” që ndodhet në Ischia.

Karabinierët nisën procedurat hetimore për katër murgesha, ndërsa vetëm një prej tyre është arrestuar teksa ishte filmuar duke goditur një djalë 4-vjeçar dhe më pas vëllain e tij 8-vjeçar, i cili ndërhyri për ta mbrojtur.

Nga hetimet rezultoi se brenda institutit kryheshin akte dhune nga murgeshat ndaj të miturve, si shkulje flokësh, goditje pas kokës dhe shkelma.