VIDEO-SYRI TV/ Rinia shqiptare e papunë për shkak të pagave, largohet për stabilitet social-ekonomik

Pagat e ulëta dhe mosrespektimi i kushteve të punës nga kompanitë shqiptare po detyrojnë të rinjtë të braktisin vendin. Në një sondazh të kryer Këshillit të Investimeve rezulton se pjesa me e madhe e shqiptarëve në moshë pune po ikin nga vendlindja për të kërkuar një vlerësim më të mirë.

Nga SYRI TV

Pagat janë arsyeja kryesore pse të rinjtë shqiptarë zgjedhin të mos punojnë, gjë e cila sjell edhe largimin masiv të tyre nga vendi, sipas një sondazhi nga Këshilli I Investimeve. Gjithashtu, arsyet pse ata janë të pakënaqur nga vendet e punës janë mundësitë e pakta për t’u rritur në karrierë, kultura e punës, komunikimi dhe vlerësimi nga ana e eprorëve, etj.   

Të rinjtë shqiptarë kërkojnë perspektivë më të qëndrueshme financiare, sociale dhe profesionale. Sipas sondazhit të Këshillit të Investimeve, 26% e të anketuarve rendisin pagat e ulëta që ofrojnë kompanitë si arsye për papunësinë e tyre.

Mentaliteti i punëdhënësit, ku përfshihet komunikimi, përgjegjshmëria siguria apo qëndrueshmëria në punë përbën problematikën e dytë kryesore për 16% të të anketuarve gjithsej.

Më pak shqetësuese duket të jetë kultura e punës, sistemi arsimor, kualifikimi i pamjaftueshëm, pozicionet e papreferuara, ngarkesa në punë, puna në të zezë, transporti etj.

Peshë të lartë zë dhe njohja apo vlerësimi i punës nga eprori për 17% të të anketuarve. Ndërsa 15% e të anketuarëve vlerësojnë kushtet e punës, trajnimet hyrëse dhe mundësitë e rritjes në karrierë. Në pamundësi për t’i gjetur të gjitha arsyet e sipërpërmendura në Shqipëri, gjithmonë e më shumë të rinjtë shqiptarë po priren drejt largimit nga vendi.