Këshilltari i Zelenskyt: Rusia e ka shndërruar Evropën Lindore në një fushëbetejë

Këshilltari i lartë i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, ka thënë se Rusia është fajtore për të gjitha “incidentet me raketa”, pas fillimit të pushtimit të vendit të tij.

“Sipas meje, është e nevojshme të mbështetemi në logjikë. Lufta filloi dhe atë po e zhvillon Rusia. Ky vend në mënyrë masive po sulmon Ukrainën me raketa”, tha për Reuters, Mykhailo Podolyak, pasi që presidenti amerikan Joe Biden tha se raketat që vranë dy persona në Poloni, mund të mos jenë shkrepur nga Rusia.

“Rusia e ka shndërruar lindjen e kontinentit të Evropës në fushëbetejë të paparashikuar. Qëllimi, rreziqet dhe eskalimi – të gjitha këto janë Rusia. Nuk mund të ketë shpjegim tjetër për çfarëdo incidenti me raketa”, shtoi Podolyak.

Ndryshe mbrëmë në territorin e Polonisë kanë rënë dy raketa, që sipas inteligjencës amerikane thuhej se ishin raketa ruse.

Në anën tjetër nga ky incident kanë humbur jetën dy persona, kurse kryeministri polak thirri takim urgjent Këshillin e Sigurisë Kombëtare.