Berisha: Rama po kërkon ta kthejë Durrësin në 'Dubain e tij' dhe në 'lavatriçen' më të madhe të Europës

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka mbledhur mesditën e së martës, Kryesinë e kësaj partie. Kryefjalë e tij në këtë takim ishte afera e projektit të Portit të Durrësit dhe planet e kryeministrit Edi Rama që i përmblodhi me emrin "vjedhje që nuk ndodh kurrë në botë", "makineri e vjedhjes".

“... Përpara kemi një armik shumëplanësh, i votës, i qenies, një dëbues si kurrë ndonjëherë në histori të shqiptarëve nga atdheu i tyre. Ngjarja e fundit që po debatohet sot në parlament, është e përmasave që tejkalon çdo lloj imagjinate, tejkalon çdo lloj kodi ligjor, etik, moral. Këta janë vërsulur në mënyrën më të papërmbajtur ndaj pasurive publike të vendit.

Edi Rama pasi ka garantuar të gjitha kanalet e narko-eurove, kërkon ta kthejë Durrësin në Dubain e tij,  po njëkohësisht në lavatriçen më të madhe të Europës dhe më gjerë me 12 mijë e 600 apartamente. Në një truall prej 1 milion metrash katrorë, Durrësi bëhet qytetari më i pabanueshëm i botës. Tejkalon në dendësi për frymë, çdo lagje apo qytet mbi planet por këto janë anët që shoqërojnë këtë vjedhje të paimagjinueshme, këtë vjedhje që nuk ndodh kurrë në botë që një aferë si kjo të mund të shqyrtohet, të mund të projektohet, të mund të imagjinohet, por këtu ndodh se është makineria më e fuqishme e vjedhjes së një populli, makineria e Edi Ramës. Nuk ka të ngopur ai. “